×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca: Zyrtarë të Qeverisë e Kuvendit në të kaluarën kanë qenë eksponentë për shit-blerje të statusit të veteranit

    Reporteri
    22 Qershor 2022 | 22:08

    Me Projektligjin e pagës minimale, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë mbetur jashtë rritjes së pagës, për çka këtë e kanë kundërshtuar përmes protestës. Përjashtimi i tyre nga kjo rritje, sipas kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka ndodhur nga qeveritë e kaluara. Megjithëkëtë, ai foli për shit-blerje të statusit të veteranit, për çka sipas tij kanë qenë eksponentë nga Qeveria e Parlamenti.

    “Para disa vitesh është vendosur ashtu. Njëherë është shkëputë në 2018 me tendencën që të kategorizohen ata dhe pastaj kur të kategorizohen prapë të zgjidhet çështja duke u lidhur me pagën minimale”, tha Konjufca.

    Tutje ai foli edhe për statusin e rremë të veteranit.

    “Është shumë e vërtetë që për shkak të një procesi shumë të korruptuar disa persona nga politika jo nga veteranët, zyrtarë politikë, jo zyrtarë të OVL-së e as dëshmorëve e invalidëve por të Qeverisë e Parlamentit në të kaluarën kanë qenë eksponentë drejtpërdrejt të shitblerjes së statusit të veteranit”, deklaroi kryeparlamentari Konjufca.

    E sa i përket fryrjeve të listave ai tha se “Do fryrje që kanë ndodhur aty që janë me mijëra e mijëra, duke filluar prej disa fryrjeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë edhe me Republikën e Shqipërisë dhe njerëz që marrin paga 2 mijë e 3 mijë euro në Gjermani e Zvicër, e këtu ai 170 euroshin as nuk e prekin por u del në konto në fund që me u bë një shumë e konsiderueshme dhe me shfrytëzu për nevoja të tyre. Këto raste t’i tregojnë të gjithë, madje edhe veteranët e vërtetë”, ka shtuar ai.

    Megjithatë, Konjufca tha është shprehur optimist se Qeveria do të gjejë një zgjidhje për veteranët, duke iu referuar takimit që kryeministri Albin Kurti pati me përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta ditë më parë.

    “Po besoj që ka me gjet një mirëkuptim qeveria me shoqatat ashtu që edhe të ndodhë kjo edhe të vijnë te numri i vërtetë dhe të rritet pensioni i veteranëve. Kjo është shumë e mundshme për mendimin tim”, tha ai në një intervistë për Atv, shkruan Reporteri.net.

    Konjufca tregon qëndrimin e Vetëvendosjes për UÇK-në

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!