×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata
    INSTANT

    Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu thotë se varet nga opozita

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 10:50
    Foto nga arkiva

    Deputetja e VV-së, njëherit kandidatja e kësaj partie për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu para fillimit të seancës konstituive ka thënë se gjithçka “varet nga partitë opozitare”, shkruan Reporteri.net.

    Haxhiu për 31 herë nuk arriti t’i marrë 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    VV po vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj, ndërsa PDK dhe AAK kanë deklaruar që nëse partia e parë ndryshon emrin ata mund të votojnë për Kryeparlamentarin.

    Në anën tjetër, LDK-ja s’do të votojë asnjë kandidat të kësaj partie.

    /Reporteri.net/

    “VV e ka marrë peng Kuvendin, po i pëlqen bllokada”, kritikat që PDK e AAK ia bën sot partisë së Kurtit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 17:57

    Për herë të 32-të sot dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Përveç VV-së, partitë tjera politike nuk propozuan anëtarë për Komisionin për Votim të fshehtë, çka seanca u shty për ditën e hënë, shkruan Reporteri.net.

    Pas dështimit, partitë PDK e AAK adresuan kritika në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se po e mban peng Kuvendin dhe se po i pëlqen kjo bllokadë, shkruan Reporteri.net.

    Deputetja e PDK-së,  Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe mosgatishmërinë për kompromis politik, shkruan Reporteri.net.

    Ajo e ka cilësuar situatën si një “pengmarrje klasike”, duke theksuar se PDK ka ofruar një alternativë për tejkalimin e krizës, por që nuk është marrë parasysh nga mazhoranca aktuale.

    “VV po e mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Kjo është pengmarrje klasike,” tha Çitaku në një deklaratë për media, duke shtuar se Vetëvendosje po këmbëngul në kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, pavarësisht mungesës së shumicës parlamentare.

    Çitaku tha se PDK, ndonëse nuk ka detyrim të mbështesë kandidatin e VV-së, por që siç tha ajo ka shprehur gatishmëri për t’u angazhuar në një zgjidhje institucionale.

    “Kemi ofruar alternativë duke i propozuar një nga 40 deputetët tjerë. Ne nuk votojmë në diktat, pa marrëveshje politike. Kjo është pengmarrje,” theksoi ajo.

    Ajo gjithashtu tha se PDK-ja i bën thirrje “Presidentes të marrë një rol më aktiv”.

    Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se partisë së Albin Kurtit po i pëlqen bllokada dhe moskonstituimi i Kuvendit po i humbet imazhi i vendit,

    “Ne nuk po shohim ndonjë angazhim, vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim – në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie,” tha Kadrijaj.

    Ajo kërkoi reflektim nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si themel i funksionimit demokratik të vendit. /Reporteri.net/.

    Miftaraj: Konstituimi në dorë të Kurtit, do të ndodhë kur t’i konvenojë atij

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 15:45

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se “konstituimi i Kuvendit është në dorë të Albin Kurtit”.

    Ai shkroi se nëse kryetari i LVV-së e ndryshon kandidatin për kryeparlamentar, ngërçi do të zgjidhej, por sipas tij, kjo do të ndodhë “në një fazë të mëvonshme”, kur “i konvenon” Kurtit.

    “Nëse i njejti e vendos vetëm pak interesin e Kosovës para egos dhe interesave personale dhe partiake, e ndryshon kandidatin për Kryeparlamentar dhe i ka votat për konstituimin e Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të qeverisë për të cilen vet deputeti Kurti dhe LVV thonë se i kanë votat. Sigurisht se konstituimi i Kuvendit do të ndodh në një fazë të mëvonshme kur i konvenon Albinit dhe LVV”, shkroi Miftaraj.

    “Deri atëherë do vazhdon cirku dhe shkelja e Kushtetutes dhe rregullave nga Avni Dehari”, shtoi ai.

    Balje: Duhet ndonjë hap konkret, LDK-ja e ka bërë një – do të votoja për një qeveri të ish-opozitës nëse do të flisnim më konkretisht

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 13:15

    Deputetja boshnjake, Duda Balje tha se nevojitet vërtetë një marrëveshje “e fortë” për zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend.

    Ajo tha para vazhdimit të seabcës konstituive sot se duhet “ndonjë hap konkret”.

    “Ne në fakt e kemi normalizu situatën dhe tash çdo 48 orë… nuk varet prej neve do me thënë. Vërtet duhet të ulemi dhe të bëjmë një marrëveshje më të shëndetshme, më të fortë. Se kështu, nuk e di. Unë vërtet nuk kam ide se çfarë mendojnë brenda partive të mëdha të shqiptarëve, por vërtetë për mua personalisht është marre dhe nuk shoh arsye për të qenë prezent në seancë. Vërtet duhet bërë ndonjë hap konkret”, tha ajo.

    Balje tha se nuk ka asnjë lëvizje dhe “asgjë të re”, ndërsa sipas saj, kjo gjendje po normalizohet dhe partitë kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale.

    Ajo tha se LDK-ja ka bërë “një hap konkret” me propozimin për një qeveri të unitetit.

    “Po. Është një prej ideve që konkrete. A është e mirë a është e keqe? Është ide dhe është konkrete. Ata e kanë konkretizuar me 15 pika. A janë të realizueshme a nuk janë, është plan. Ishalla edhe këto dy partitë tjera dalin me një plan konkret edhe mbase ne duhet me vendos cili është më mirë. Bile LDK-ja ka bërë një hap konkret”.

    Deputetja tha se do të votonte për një qeveri me partitë e ish-opozitës, por përmendi kushtin e saj për krijimin e një komune boshnjake.

    “Po. Unë pata një kërkesë konkrete për një komunë boshnjake, dhe unë ndërkohë fola edhe me opozitën për këtë, e cila është kërkesë nacionale, nuk është e imja apo e partisë dhe unë mora si një dritë të gjelbër. Nëse është në gjendje për të folur më konkretisht, po, unë do ta votojë”, tha Balje.

    Shkon në 13 numri i të vdekurve në Izrael pas sulmeve të Iranit gjatë natës
    Read more

    Dimal Basha: Ne e kemi të qartë, kemi thënë me LDK-në po, me PDK-në jo

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:49

    Dimal Basha nga VV ka thënë se është e paarsyeshme që s’po votohet komisioni për votim të fshehtë.

    “Është e paarsyeshme që deputetët në kuvend dhe mos me ushtru funksionin e tyre që është vota, qoftë kundër, qoftë pro, qoftë abstenim”, tha ai.

    Ai e përsëriti që VV ia ka bërë një ofertë LDK’së, por që kjo e fundit ka refuzuar.

    “E kuptojmë që LDK ka dalë me një propozim dhe është diskutu këtu që ata po thonë që e kanë një ofertë. Është e pakuptueshme për qytetarët e Republikës për shkak se po thonë s’ka pasur asnjë ofertë tjetër, ne kemi pasë ofertë për me kalu krizën e kuvendit dhe qeverisë, LDK e ka refuzu”, tha ai.

    “Ne e kemi të qartë, kemi thënë me LDK’në po, me PDK’në jo. Ky është qëndrimi jonë. Po LDK po thotë me juve jo, po nëse ju edhe PDK bohemi bashkë krejt po”, tha ai.

    Guri: Shqetësues numri i vogël i deputetëve që po marrin pjesë në Kuvend

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:38

    Pas dështimit për herë të 32-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i LDK-së, Paris Guri ka thënë se është shqetësues numri i vogël i deputetëve që po marrin pjesë, shkruan Reporteri.net.

    “Deputetët s’kanë as interes për pjesëmarrje në sallën e Kuvendit.Shqetësuesi numri i vogël i deputetëve që po marrin pjesë në Kuvend”, tha Guri.

    Në sallë sot ishin të pranishëm 75 deputetë.

    45 prej tyre votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

    /Reporteri.net/

    Tentativë qe dy muaj, dështon për herë të 32-të konstituimi i Kuvendit, bie edhe numri i votave “për”

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:25

    Ka dështuar për herë të 32-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Përveç VV-së, partitë tjera politike nuk propozuan anëtarë për Komisionin për Votim të fshehtë, shkruan Reporteri.net.

    Në sallë ishin të pranishëm 75 deputetë.

    Vetëm 45 deputetë votuan për, kundër 1 dhe abstenim s’kishte.

    Seanca e radhës do të jetë më 17 qershor.

    Vetëvendosje këmbëngul të mos ndryshojë as emrin e propozuar dhe as formën e votimit.

    PDK dhe AAK kanë kërkuar emër të ri nga VV, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të saj.

    Presidentja Vjosa Osmani deri tani ka mbajtur dy takime konsultative me liderët politikë për të diskutuar konstituimin, ndersa pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje ligjore për bllokadën.

    /Reporteri/

    Berisha: Secili mandatar që i siguron 60, e ka edhe votën time

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:18

    Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane është deklaruar para mediave pak para nisjes së seanvës.

    “Po shihemi se në çfarë situate është bota, ne merremi me konstituim të kuvendit”, tha ai.

    Berisha tha se nuk ndihet mirë për situatën e krijuar në Kuvend.

    “Si duket partive të mëdha po iu konvenon kjo situatë”, shtoi ai.

    Berisha u pyet edhe për deklaratën e Memli Krasniqit se ai mund t’i sigurojë 10 vota të pakicave pa Listën Serbe.

    “Si deputet i PLE’së, secili mandatar që i siguron 60 e ka edhe votën time, votën për interes të shtetit. Nuk jam bllokues, d.m.th. le ti siguron secili e të ecim para sepse kjo s’ka kuptim”, tha ai.

    Çeku: Partitë tjera s’po votojnë dhe po e mbajnë peng Kuvendin

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 11:07

    Deputeti i VV-së, Hajrullah Çeku i ka bërë thirrje partive politike që të dalin hapur me qëndrimin e tyre dhe të mos pengojnë funksionimin institucional, shkruan Reporteri.net.

    “Nëse nuk e duan votimin e fshehtë, duhet të deklarohen partitë e tjera. Partitë tjera s’po votojnë dhe janë duke na mbajtur peng,” tha Çeku, duke lënë të kuptohet se mungesa e vullnetit për të marrë pjesë në proces është kthyer në një formë të re të bllokadës politike.

    “Duhet të thirremi në arsye dhe në përgjegjësi para qytetarëve dhe ligjit. Është detyrim i 120 deputetëve”, tha Çeku.

    /Reporteri.net/

    Kadrijaj: VV-së po i pëlqen kjo bllokadë, po humbet imazhi i Kosovës

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 10:54

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj situatës së zvarritjes së proceseve institucionale në vend, duke e quajtur të papranueshme bllokadën aktuale politike.

    Sipas saj, mungesa e angazhimit serioz nga një parti politike – të cilën ajo nuk e përmend drejtpërdrejt – është duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

    “As mend nuk e kemi bërë secila parti që ka synuar ta ketë, partitë janë angazhuar maksimalisht. Ne nuk po shohim ndonjë angazhim, vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim – në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie,” tha Kadrijaj.

    Ajo kërkoi reflektim nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si themel i funksionimit demokratik të vendit.

    “Ju lus, bojkotoni deputetët”, Koci sërish proteston sot para Kuvendit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 10:26

    Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar se edhe sot do të protestojë para Kuvendit të Kosovës.

    Ai, përmes një postimi në Facebook, u bëri lutje qytetarëve që të bojkotojnë deputetët e zgjedhur.

    “E dimë paraprakisht: as sot, për të 32-tën herë, deputetët nuk do të merren vesh. Një tjetër ditë e humbur. Një tjetër dëshmi se shteti po shpërbëhet – jo prej ndonjë lufte, por prej inatit dhe papërgjegjësisë. Pa Parlament s’ka ligje, pa ligje s’ka rend, s’ka shtet. Ka vetëm zvarritje, kaos dhe heshtje. Qeveria është në detyrë, por pa kontroll. Vendimet mungojnë, llogaridhënia nuk ekziston, institucionet janë të ngrira – vendi i bllokuar. E gjithë kjo, sepse ata – thjesht – mund të sillen kështu. Po sillen kështu me neve, sepse ne po i lejojmë. Po munden. Po na manipulojnë. Dhe ne po heshtim. Nuk ka më justifikime. Është koha të jemi më aktivë, më të vetëdijshëm, më të zëshëm. Sepse nëse nuk e marrim ne situatën në dorë, ata nuk do të bëjnë asgjë për ta zgjidhur”.

    “Sot, së paku – një hap simbolik: t’i përcjellim me emër e mbiemër. Të dimë qartë: a janë në seancë, apo në ndonjë resort pushimi? T’ua prishim këtë të diel, sepse ata po na e prishin jetën. Na kanë uzurpuar të ardhmen. Unë ndërkohë – po përgatitem. Sepse do të vijë protesta e madhe. Në takimin e 50-të të deputetëve – do të jem aty. Atëherë, askush nuk do të mund të fshihet më. As pas dyerve të Kuvendit, as pas fjalëve boshe që s’thonë asgjë. Sepse mjaft kemi pritur. Mjaft kemi heshtur. Tani – është koha për veprim. Për ndëshkim moral. Për përgjegjësi politike. Deri atëherë, deri në herën e 50-të, le të ekspozohen në marre, në dështim, në heshtje, në ikje nga përgjegjësia”, ka shkruar Koci.

    “Prandaj, nëse doni me i ndalë, filloni prej vetes: ju lus – bojkotoni deputetët. Mos i dëgjoni. Mos i trajtoni si përfaqësues. Trajtoni si pazargjinj të vegjël, me madate të mëdha. Sepse derisa nuk e formojnë Parlamentin – nuk përfaqësojnë askënd. As ju. As mua. As Kosovën. Heshtja e jonë – fuqia e tyre”.

    Bllokada në Kuvendin e Kosovës, betejë pa fitues qe dy muaj për Kryeparlamentarin

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 8:17

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 11:00 për herë të 32-të që nga 15 prilli, në një tjetër përpjekje për konstituim, shkruan Reporteri.net.

    Procesi ka ngecur për shkak të pamundësisë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga Vetëvendosje për Kryeparlamentare, s’ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme në asnjë nga votimet.

    Partitë politike kanë refuzuar të mbështesin kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare dhe janë kundër votimit të fshehtë.

    Vetëvendosje këmbëngul të mos ndryshojë as emrin e propozuar dhe as formën e votimit.

    PDK dhe AAK kanë kërkuar emër të ri nga VV, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të saj.

    Presidentja Vjosa Osmani deri tani ka mbajtur dy takime konsultative me liderët politikë për të diskutuar konstituimin, ndersa pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje ligjore për bllokadën.

    /Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!