×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Kontratat njëburimore, Bajrami-Muratit: “Shko në Prokurori vizatoju grafa, ndoshta të besojnë”

    Reporteri
    24 Nëntor 2024 | 15:49

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ka muaj që po dëgjohen shpifje e propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara.

    E këto kontrata të negociuara, sipas Muratit opozita po i quan gabimisht e qëllimshëm kontrata njëburimore, e herë tenderë sekretë.

    “E para, prokurimi me procedurë të negociuar është i paraparë në Ligjin për Prokurimin Publik, saktësisht Nenit 34 dhe Neni 35, pra nuk ka asgjë të paligjshme kur një autoritet kontraktues përdorë këtë metodë, për aq sa plotësohen kriteret e kërkuara me ligj. Me fjalë tjera, lloji i procedurës së prokurimit nuk e përcakton se a ka korrupsion në atë kontratë apo jo. Psh. e kemi rastin e Komunës së Prishtinës, ku me tender të hapur është dhënë kontrata në vlerë 12 milionë euro, për të paguar konsulencë e rendera në kompjuter, dhe askush nuk mund të garantojë që në këtë kontratë nuk ka korrupsion”.

    “E dyta, shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet – qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike. Dhe e treta, nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%”, ka shkruar Murati.

    Në grafikon, me vijë të kuqe është paraqitur përqindja e vlerës së kontratave me procedurë të negociuar në raport me vlerën totale të kontratave, nëpër vite.

    “Edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2015, në qeverisje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Madje në vitin 2015 ka qenë ministre edhe deputetja Bajrami, e cila është aq e zellshme të “denoncojë” këtë metodë të prokurimit. E nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë”.

    Lidhur me këtë ka reaguar ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka bërë publike përgjigjen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    E po ashtu, Bajrami beson se gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë vetë të korruptuar.

    Nuk vonoi shumë e Murati sërish replikoi lidhur me postimin e Bajramit.

    Ai ka thënë se kështu, ish-ministrja zbrapset.

    “Dhe kështu, Hykmetja zbrapset. Dallimin e kemi tek fakti se teksa unë them që kontratat e negociuara parashihen me nenin 34 dhe 35 të ligjit të prokurimit publik, prandaj s’ka asgjë të paligjshme, dhe as nuk mund të etiketohen si hajni apriori pa ofruar dëshmi, për Hykmeten dhe një pjesë të opozitës, “kontratat e negociuara janë të paligjshme dhe hajni”. Urdhëro pra Hykmete, na trego se në cilat kontrata keni vjedhur në vitin 2015, kur ju keni qenë ministre, dhe 16.1% e vlerës së kontratave të nënshrkuara atë vit kanë qenë me procedurë të negociuar, meqenëse kontratat e tilla sipas teje qenkan hajni. Skena për ty!”, ka shkruar ministri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!