Policia e Kosovës gjatë kontrollit në disa shkolla të Mitrovicës, kanë gjetur dhe sekuestruar tri thika dhe dy boksa hekuri, raporton gazeta online Reporteri.net.
Derisa kjo kontrollë u krye në kuadër të veprimeve dhe masave parandaluese për ofrimin e sigurisë në shkolla, thuhet se ka qenë prezent edhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka mbikëqyrur procesin.
“Në kuadër të veprimeve dhe masave parandaluese për ofrimin e sigurisë në shkolla, zyrtarë policor të Stacionit Policor Mitrovicë Jugu me datat 04.11.2024 dhe 05.11.2024, kanë zbatuar masa dhe kontrolle sigurie në shkolla. Me qëllim të parandalimit të bartjes dhe posedimit të mjeteve të rrezikshme dhe të kundërligjshme janë zbatuar masa sigurie përmes urdhër- kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me ç‘rast janë kontrolluar nxënësit e katër shkollave të mesme të larta në Mitrovicë. Gjatë kontrollit të ditës së sotme prezent ka qenë edhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka mbikëqyrur procesin e kontrollit. Gjatë kontrollimit brenda hapësirave të shkollave, tek nxënësit në posedim janë gjetur dhe sekuestruar: tri (3) thika dhe dy (2) boksa hekuri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në përfundim, thuhet se Policia mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ndërsjellë me autoritetet e shkollave, me qëllim të parandalimit të veprave penale, posedimit të mjeteve të kundërligjshme dhe ofrimin e sigurisë në shkolla.
/Reporteri.net/.