×
  • Lajme
  • Lajme

    Koronavirusi godet Kuvendin, përveç deputetit edhe dy zyrtarë të infektuar, anulohet mbledhja e Kryesisë

    Reporteri
    28 Qershor 2020 | 23:04

    Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paralajmëruar për nesër në orën 11:00, është shtyrë për një ditë tjetër.


    Në njoftimin për media nuk janë dhënë arsye.

    Por sot Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe një zyrtar tjetër i lartë i administratës së Kuvendit, kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

    Të dy ata janë të izoluar në shtëpitë e tyre.

    Lajmin se është prekur nga virusi korona e ka konfirmuar Krasniqi për AktivPress.

    “Pas kryerjes së testit ka rezultuar të jem prekur me Covid-19. Menjëherë e kam njoftuar Kuvendin dhe aktualisht jam në izolim në shtëpi”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka pohuar se rasti i tij nuk është i izoluar pasi është edhe një zyrtar tjetër i lartë i administratës që po ashtu është konfirmuar me Covid-19.

    “Identiteti i zyrtarit të infektuar është i njohur për administratën e Kuvendit. Edhe ai është në izolim”, ka thënë Krasniqi.

    Po sot, shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka bërë me dije se bashkë me anëtarët e familjes së tij janë infektuar me Covid-19.

    Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse ka probleme me infektime të ligjvënësve, atëherë është mirë që seancat parlamentare të shtyhen.

    Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka reaguar duke thënë se rritja e konsiderueshme e rasteve me Covid-19, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve.

    Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të masave anti-Covid, nëse do të ketë rritje të rasteve.

    Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë deri më tani është 2677. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!