×
  • Lajme
  • Lajme / Komiteti për Politikë të Jashtme të PE-së

    Kos bën thirrje që Kosova sa më shpejtë t’i formojë institucionet

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 12:21
    AP Photo/Geert Vanden Wijngaert

    Komisarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë – një proces i domosdoshëm për avancimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian.

    “Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat kyçe në gjyqësor, media dhe administratë publike. Një qeveri funksionale dhe kuvend funksional janë thelbësore që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje”, ka thënë Kos.

    Komisarja evropiane foli në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me proceset integruese të vendeve të rajonit.

    Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon me perspektivë evropiane për të cilin ende nuk është trajtuar aplikimi për marrjen e statusit të kandidatit.

    Marta Kos konfirmoi gatishmërinë për ta trajtuar këtë dokument, por theksoi se kërkesa për këtë duhet të vijë nga shtetet anëtare të BE-së, shkruan RTK.

    Ajo porositi se dialogu dhe përmbajtja nga veprimet e njëanshme janë rruga e vetme për të avancuar drejt strukturave evropiane.

    “Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi anëtarësimin e Kosovës në BE sapo Këshilli ta kërkojë këtë. Por më lejoni të jem e qartë: rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka shtuar ajo.

    Sa i përket vendeve tjera të rajonit, komisarja Kos cilësoi se në Serbi ka regres a i përket procesit reformues. Ajo kritikoi vizitën e presidentit serb në Moskë, duke vlerësuar se me këto veprime po bëhet më i vështirë avokimi për këtë shtet.

    Nga ana tjetër Marta Kos përgëzoi avancimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e negociatave të anëtarësimit dhe inkurajoi shtetet tjera të rajonit që të përparojnë në reforma.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!