Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian janë pro heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ajo ka thënë se ka diskutime për këtë dhe se kurdo që të gjitha shtetet pajtohen, masat do të hiqen.
“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, ka deklaruar Kos për REL.
Masat ishin vendosur më 2023, pas tensioneve në veri të vendit.
Dule folur për anëtarësimet në BE, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj.
Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.
E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.
Sa i përket Kosovës, e cila aplikoi për anëtarësim më 15 dhjetor 2022 dhe është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e vendit kanidat, Kos ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është parakusht për marrjen e statusit dhe fillimin e procesit të anëtarësimit në BE.
“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos, në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato./Reporteri.net