×
  • Lajme
  • Lajme / Komisionerja për Zgjerim

    Kos: Rruga e Kosovës drejt BE-së varet nga dialogu me Serbinë, jo nga veprimet e njëanshme

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 16:57
    AP Photo/Geert Vanden Wijngaert

    Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.

    Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos ka thënë, gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli.

    Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

    Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    “Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë mes tjerash ajo.

    Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

    Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë.

    Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.

    Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

    Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

    Gjatë debatit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili iu kushtua zgjerimit të BE-së, situatës në Ukrainë dhe politikës evropiane të fqinjësisë, Komisionarja evropiane, Marta Kos foli edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Ajo përmendi se me Shqipërinë tashmë kanë filluar negociatat për 24 kapituj, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se duhet të vazhdojë me reformat dhe të rikthejë besimin e publikut. Kos i dërgoi një mesazh presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se vizita e tij në Moskë për festimet e 9 Majit e vështirëson përparimin e Serbisë në procesin evropian.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, sipas saj, bllokada politike vazhdon, por dera për anëtarësim në BE mbetet e hapur.

    Sipas saj, Mali i Zi po bën përparim të shpejtë në negociata – gjashtë kapituj janë mbyllur dhe pritet që procesi të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

    Sipas Komisionares, synimi i Komisionit është që të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese të nevojshme.

    “Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të nisin bisedime intensive dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje dypalëshe. Unë jam e gatshme të ndërmjetësoj, nëse është e nevojshme”, tha Kos.

    Ajo shtoi, gjithashtu, se Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për t’i thjeshtuar procedurat e anëtarësimit, me qëllim që të shmanget rreziku që mosmarrëveshjet dypalëshe ta ngadalësojnë procesin, veçanërisht në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik.

    Sa i përket Gjeorgjisë, Kos paralajmëroi se autoritetet atje po e largojnë vendin nga BE-ja dhe po rrezikojnë themelet e demokracisë.

    “Duhet t’i ndërmarrim menjëherë hapat e ardhshëm me Ukrainën dhe Moldavinë – gjithçka është gati, dhe tani i takon Këshillit të BE-së t’i nisë negociatat. Nëse duam paqe dhe stabilitet në Evropë, duhet të jemi të pavarur dhe ta përfundojmë bashkimin e Evropës – kjo është një detyrë morale”, tha Kos mes tjerash.

    Ajo shtoi se po jetojmë në një kohë të transformimeve të thella të rendit ndërkombëtar dhe se vetëm në gjashtë muajt e parë të mandatit të saj, peizazhi global ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Prandaj, sipas saj, në interes të sigurisë dhe të ardhmes së kontinentit, është e nevojshme “të përfundojë bashkimi i Evropës”.

    “Për mua, zgjerimi është shumë më tepër se thjesht proces anëtarësimi. Bëhet fjalë për bashkimin e Evropës. Kjo nuk është vetëm një domosdoshmëri morale, por edhe një kusht i qartë për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt. Në këtë kontekst, zgjerimi e tejkalon kuptimin tradicional dhe shndërrohet në një mjet për të bashkuar Evropën rreth vlerave dhe parimeve të përbashkëta”, theksoi Kos.

    Në këtë frymë, sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm të projektojë stabilitet dhe paqe në të gjithë kontinentin, si dhe në fqinjësinë strategjike evropiane në Azinë Qendrore dhe në Mesdhe.

    Komisionarja evropiane për Zgjerim shprehu shpresën se gjatë katër viteve të ardhshme, të paktën edhe një vend do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!