×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett takon Hotin: Duhen veprime të shpejta në raportet me Serbinë

    Reporteri
    05 Qershor 2020 | 18:30

    Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, sot është takuar me kryeministrin e ri të Republikës së Kosovës, Avdullah Hotin.


    Përmes një reagimi në Twitter, Kosnett ka thënë se janë pajtuar bashkë me kreun e ekzekutivit kosovar që duhen marrë veprime të shpejta lidhur me raportet me Serbinë.

    “Në takimin tim të parë më kryeministrin Hoti sot, u pajtuam për rëndësinë e veprimeve të shpejta sa i përket raporteve me Serbinë, vazhdimin e luftë kundër korrupsionit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë CODVID-19”, ka thënë Kosnett.

    Për takimin ka njoftuar edhe zyra për media e kryeministrisë. Sipas këtij njoftimi,thuhet se gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti e falënderoi ambasadorin Kosnett për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për vendin tonë, si dhe pohoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen.

    Po ashtu, kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Kosnett për prioritetet e menjëhershme të qeverisë së re, siç janë: lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun.

    Ambasadori Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara do te vazhdojnë mbështetjen e saj për Kosovën, sidomos në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit – përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!