×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett u thotë prokurorëve kosovarë: Inspirohuni nga Anton Çetta

    Reporteri
    22 Janar 2021 | 11:42

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ka ftuar prokurorët kosovarë të inspirohen nga figura e shquar kombëtare, Anton Çetta, për punën e tyre.


    Duke folur për dhunën e 6 janarit në Washington, Kosnetti ka thënë se vlerat demokratike janë testuar dhe se për t’u udhëzuar duhet t’i kthehemi historisë.

    “Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm. Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë. Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës. Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes. Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë”, ka thënë ai në këtë konferencë, duke thënë se për në SHBA frymëzohet nga jeta e gjyqtarit Elbert Tuttle, që luftoi për liritë të afrikano-amerikanëve.

    “Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj historikë kur individët janë përballur me rrezikun për të mbrojtur vlerat që ata i vlerësojnë lart. Madje edhe përderisa po ndodhte dhuna e fundit në Capitol, heronj vetëmohues demonstruan guxim të madh me veprime të mëdha e të vogla. Shumë prej jush keni dëgjuar rrëfimin për personelin e Kongresit që patën mendjen dhe guximin për t’i ruajtur votat e Kolegjit Elektoral dhe për t’i siguruar ato.  Po e them sërish, këta janë qytetarë të rëndomtë, të cilët, kur u përballën me test, e bënë të duhurën – duke ndihmuar për të ruajtur dhe mbrojtur institucionet dhe vlerat tona demokratike. Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri”, ka vazhduar Kosnetti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!