×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca e djeshme

    Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, SHBA kërkon që të përmbahen nga retorikat eskaluese

    Reporteri
    09 Prill 2025 | 9:17

    Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë kanë shkëmbyer akuza të forta gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u zhvillua pasditen e së martës.

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj  sulmoi retorikën dhe veprimet e Serbisë, duke përmendur sulmin e 24 shtatorit 2023, të kryer nga një grup paramilitar i lidhur me Beogradin, që rezultoi me vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Ajo theksoi se Serbia e ka mbështetur politikisht dhe ushtarakisht këtë grup, duke përsëritur kërkesën për dorëzimin e “kokës” së këtij sulmi, Milan Radoiçiqit. Gërvalla theksoi se Radoiçiqi njihet për lidhjet me krerët shtetërorë të Serbisë.

    “Ta quash këtë ‘incident sigurie’, siç bën UNMIK-u në raportin e vet, është shtrembërim i fakteve. Ky ishte akt lufte, akt terrorizmi. Organizatori i sulmit të Banjskës, Radoiçiq, njihen për lidhjen me ministrin e Jashtëm të Serbisë që sot është këtu, Gjuriq dhe presidentin Vuçiq. Radoiçiq ka fotografi publike në kafene në Beograd me Gjuriqin”, shtoi ajo.

    Gërvalla po ashtu përmendi aktin e sabotimit më 29 nëntor 2024, kur kanali Ibër-Lepenc u godit me eksploziv, duke rrezikuar jetën dhe mirëqenien e mijëra qytetarëve.

    “Vuçiqi kishte thënë se do ta hetonin, por kishte refuzuar të bashkëpunonte në hetimi ndërkombëtar që u bë për këtë sulm. Kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për hetimet ndërkombëtare”, ka potencuar Gërvalla.

    Ajo  po ashtu akuzoi UNMIK-un se po i jep jehonë propagandës serbe, ndërkohë që organizata të tjera ndërkombëtare si BE, OSBE dhe Këshilli i Evropës kanë dhënë vlerësime të balancuara dhe objektive për zhvillimet në vend. Sipas saj, UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që ta justifikojë praninë e vazhdueshme.

    “UNMIK-u nuk po e pengon Kosovën, por po dëmton kredibilitetin e vetë OKB-së. Raportet e tij shtrembërojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe luftë kundër krimit. Kosova vazhdon të punojë ngushtë me agjenci të tjera të OKB-së, por UNMIK-u nuk përmbush asnjë funksion që do të justifikonte praninë e vazhdueshme, ndërsa organizatat e tjera si OSBE, Këshilli Evropian, BE vazhdimisht ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë. UNMIK-u vazhdon të shtrembërojë faktet, duke e keqorientuar vetë këtë Këshill. Është evidente se si e paraqet raporti përpjekjen legjitime të Kosovës për ta forcuar sundimin e ligjit, për ta luftuar krimin e organizuar… Kosova ka shënuar suksese domethënëse në çmontimin e strukturave ilegale në katër komunat veriore. 13 laborator droge, të përkrahur nga shteti serb që kanë prodhuar drogë për miliona viktima në gjithë Evropë, në vlerë qindra miliona euro, gjitha këto janë çmontuar. Janë gjetur edhe mjete për vepra terroriste. Kjo është mbrojtje të qytetarëve tanë, por UNMIK-u i bën jehonë propagandës serbe”, ka deklaruar Gërvalla.

    Ndërkohë përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka deklaruar se qeveria e re e Kosovës është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.

    Ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka thënë se shpreson se qeveria e re do të krijohet pas zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt.

    “Pasi të krijohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”, tha ai.

    Ziadeh inkurajojë grupin punues për personat të pagjetur që të punojnë së bashku për të zgjidhur fatin e personave të të zhdukurve, për të cilët familjarët kërkojnë përgjigje.

    Ajo tha se ka vizituar veriun dhe qytetarët atje shpresojnë që dialogu në Brukselit ë vazhdon dhe serbët të kenë një lloj zotësie në kuptimin e vet menaxhimit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Gjatë fjalimit Ziadeh ka dënuar sulmin ndaj Kanalit të Ibër-Lepencit më 29 nëntor të vitit të kaluar.

    Po ashtu u përmend edhe ndalimi i 16 “pelegrinëve” serbë në fundjavë në Gjakovë e Prizren. Shumica e tyre janë liruar.

    E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur “për persekutim të serbëve” në Kosovë. Ai tha se se “po vërehen pasojat e precedentit të vendosur në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.

    Është ankuar “për shkelje” gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se i është marrë një ulëse Listës Serbe.

    Ai tha se në dialogun Kosovë – Serbi duhen “energji të reja”.

    E ambasadori rus në OKB, Vasily Nebeznya, ka thënë se shpreson që Gjykata Speciale “t’i dënojë në mënyrë shembullore liderët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999”.

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në fund ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta vizitojnë Kosovën dhe ta shohin situatën në terren e të bisedojnë me serbët në katër komunat veriore.

    “Ju tregojnë se si tash më në fund po ndihen të lirë nga presioni i bandave dhe krimit të kërcënuar. Nga kërcënimet e z. Gjuriq e të tjerëve. Asgjë s’mund të zë vendin e përshtypjes personale. Flisni haptazi. Unë ju them se do të ndryshonit menjëherë mendim”, tha Gërvalla-Schwarz.

    Ndërkohë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, John Kelley, ka përsëritur se misionit të UNMIK-ut i ka kaluar qysh moti afati i tranzicionit dhe se duhet të përfundojë tashmë. Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që punojnë për normalizim të marrëdhënieve.

    “Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutje të tensioneve, të përmbahen nga retorikat eskaluese mes tyre dhe në rajonin e tyre. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë, normalizimi i marrëdhënieves mes Kosovës dhe Serbisë është qenësor për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar më tej se SHBA-ja kërkon që të zbusë shpenzimet e panevojshme, derisa ka përmendur se 89% e buxhetit të UNMIK-ut shkon për paga të punëtorëve.

    Në lidhje me takimet e ardhshme për UNMIK-un në Këshillin e Sigurimit, SHBA-të kanë rekomanduar që ato të zhvillohen në formë të mbyllur, për të mundësuar një diskutim më të sinqertë dhe më pak performancë.

    “Besojmë se këto informime duhet të reduktohen dhe të mbahen vetëm një herë në vit, për shkak të ngarkesës së madhe të agjendës së Këshillit të Sigurimit,” tha Kelley./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!