Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar se arritja e një koalicioni mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes mund të bëhet së shpejti. Paralajmërimi i tij vjen dy ditë pasi Kurti tha se është shumë i interesuar për të bashkëqeverisur me Limajn.
Limaj pasi u pyet lidhur me deklaratat e kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të VV’së, Albin Kurti, për takimet që kanë pasur mes vete, tha se beson se së shpejti do të krijohet shumica parlamentare, shkruan Reporteri.net.
“E vetmja rrugë është shumica parlamentare siç ka ndodhur çdo herë në Kosovë. Partia e parë duhet ta ketë shumicën parlamentare në Kuvend për me mujt me i shty agjendat e tyre përpara edhe me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit ,edhe me Qeverinë. Besoj që Kosova do ta ketë shumicën parlamentare shpejt”, tha Limaj duke qeshur, teksa u largua nga konferenca.
Ai tha se Nisma do ta jap kontributin e saj për dalje nga ngërçi.
“Nisma ka dhënë dhe do ta jap kontributin krejt çka i takon me tejkalu krizën instutcionale në vendin tonë”, tha Limaj.
Kurti para dy ditësh ka konfirmuarse ka pasur disa takime me Limajn. Ai tha se kanë dështuar të arrijnë marrëveshje, shkaku i një parakushti të Limajt që ta kenë pozitën e Kryeparlamentarit.
Ai shprehu interesim për një koalicion me Limajn, në këmbim të ministrive.
“Unë jam shumë i interesuar që të bashkëqeverisim, pra që ata të kenë Ministri në Qeveri”, tha Kurti.
Sipas tij, një parti me tre deputetët s’mund ta ketë pozitën e Kreut të Kuvendit.
“Unë kam pasur takime me Kryetarin e Nismës Socialdemokrate. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje. Thjeshtë për shkak të insistimit për shkak të një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e Kryeparlamentarit. Një partie me 3 deputetë t’ia japim Kryeparlamentarin, kur e kam koalicionin me një parti që e ka dyfishin e deputetëve…nuk ishte një gjë e mundur”, deklaroi Kurti në RTK.
Ai tha se është lajm që Limaj është kthyer në Kuvend, teksa shtoi se AAK’ja e kaloi pragun falë tij.
“Është lajm që Fatmir Limaj, Komandant “Çeliku” është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që do të duhej të jetë parti simotër me VV’në i ka 3 deputetët në Kuvendin. Le të mos harrojmë, jo vetëm që u kthye Fatmir Limaj në Kuvendin e Republikës, por njëkohësisht ia mundësoi AAK’së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK’ja kësaj radhe do të ngelej nën prag”, deklaroi Kurti. /Reporteri.net