×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Kosova i bashkohet iniciativës globale për siguri dhe etikë kibernetike

    Reporteri
    05 Prill 2025 | 20:36

    Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të Procesit Pall Mall, një iniciativë ndërkombëtare e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, e cila synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën në përdorimin e teknologjive kibernetike.

    Kryeministri Albin Kurti, njoftoi për këtë hap të rëndësishëm përmes një deklarate në Facebook, duke e cilësuar anëtarësimin si pjesë e angazhimit të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, sigurinë kombëtare dhe rendin ndërkombëtar në epokën digjitale.

    “Me mbështetjen e këtij Kodi, Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

    Procesi Pall Mall është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së Francës, e lansuar në shkurt të vitit të kaluar, që bën bashkë vendet demokratike të përkushtuara për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.

    Kodi i Praktikave për Shtetet, i prezantuar zyrtarisht më 3–4 prill gjatë Takimit të Dytë të Procesit Pall Mall në Paris, synon të frenojë përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike, teknologji këto që gjithnjë e më shumë po paraqesin rrezik për privatësinë dhe sigurinë në mbarë botën.

    Ky Kod përcakton parime udhëzuese për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, duke promovuar sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.

    Pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces e rreshton vendin përkrah shteteve që promovojnë përdorim etik dhe ligjor të teknologjisë, duke fuqizuar më tej pozicionin ndërkombëtar të saj si një partner i besueshëm dhe demokratik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!