×
  • Lajme
  • Lajme / Konfirmohet

    Kosova lihet jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave në KiE

    Reporteri
    13 Maj 2025 | 13:04
    Selia e Këshillit të Evropës, në Strasburg. Fotografi nga arkivi.

    Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është lënë jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet të martën dhe të mërkurën në Luksemburg.

    Para nisjes së mbledhjes së parë të Komitetit të Ministrave, pa përfshirjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti tha se “Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës”.

    Në një reagim në Facebook, zv/ministri Ahmeti tha se Kosovës i janë vendosur padrejtësisht “kërkesa jozyrtare” për anëtarësim.

    “Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg”, tha Ahmeti.

    Ai tha Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila vitin e kaluar ia dha dritën e gjelbër kërkesës së Kosovës për anëtarësim, është mekanizmi i fundit që adreson nëse janë plotësuar kriteret.“Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen ‘kritere jozyrtare’, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë”, tha zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme.

    Sipas Ahmetit, ky trajtim nga Komiteti i Ministrave të KiE-së “është një sinjal shqetësues për rajonin”, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin.

    Në prill të vitit 2024, raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis paraqiti raportin e saj në Asamblenë Parlamentare, duke theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit. Ky raport u miratua me mbi 80% të votave në favor. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!