×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova mbetet ‘jetime’, në Durrës për Mini-Shengen shkon edhe presidenti malazez

    Reporteri
    20 Dhjetor 2019 | 15:40

    Pjesëmarrja e presidentit malazez Milo Gjukanoviq në takimin në Tiranë në kuadër të nismës së Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që njihet si Mini-Shengeni u konfirmua zyrtarisht sot në Podgoricë.


    Gjukanoviq do të niset për në Tiranë nesër, me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor pjesë e së cilit janë edhe : presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev .

    Në takimin e nismës së njohur si “Mini-Shengeni” nuk do të merr pjesë Kosova. I ftuar Presidenti, Hashim Thaci, por ai ka bërë me dije se refuzon të jetë pjesë e nismave, kur ende Serbia ka politikë destruktive e mohuese për Kosovën.

    “Pjesëmarrja e presidentit Gjukanoviq është një konfirmim i angazhimit të Malit të Zi për bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin, përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe përgjegjësinë e tij ndaj detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave me BE-në. Gjithashtu, takimi i Tiranës është një mundësi për një dialog të hapur për zhvillimet në rajon, përparësitë e përbashkëta të zhvillimit dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e presidencës malazeze rreth vizitës së Gjukanoviqit në Shqipëri, transmeton Klan Kosova.

    Për pjesëmarrjen e kreut të shtetit malazez në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, është shprehur i kënaqur edhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!