Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Komitetin e Ministrave nuk është futur në rend dite çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Osmani ka thënë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës dhe se kjo është vetëm thjeshtë çështje kohe.
Osmani tutje ka thënë e në këtë rrugë, Kosova nuk do të bëjë kompromise me vlerat që përbëjnë themelin e shtetit.
Presidentja Osmani ka falënderuar vendet që e kanë përkrahur Kosovën deri tani dhe ka thënë se së bashku me to do të punohet për ta bërë realtet anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë.Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike.I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më herët sesa vonë”, ka shkruar Osmani.
The Republic of Kosovo will be the 47th member of the Council of Europe.
It is just a matter of time.
On this path, we shall not compromise the values that form the very foundation of our country.
Once we’re there, we’ll continue to stand for the pillars that define the CoE:…
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 17, 2024
Pak minuta më parë, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së nuk u mor vendim që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës. Gërvalla tha ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Gërvalla ka folur për letrën që Qeveria e Kosovës ia nisi dje KiE-së, e ku zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit. Ajo thotë se përkundër që për këtë letër u konsultuan me partnerët ndërkombëtarë, nuk pati efekt.
Ajo tha se përkundër këtij propozimi të Qeverisë, të cilin ajo e quajti serioz e të arsyeshëm, disa vende zgjodhën të rreshtohen krah fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Presidenca e Kosovës dje u distancua nga letra që Qeveria ia nisi KiE-së, duke thënë se “nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Vjosa Osmani”. /Reporteri.net/