×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova merr këshilla nga eksperti botëror për menaxhimin e pandemisë COVID-19

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 19:20

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur një takim virtual me Sir Jeremy Farrar, ekspert botëror për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

    Përmes një komunikate, Zyra e Kryeministrit thotë se gjatë këtij takimi, Sir Jeremy ka ofruar ekspertizën e tij se si Kosova duhet të përgatitet për ardhjen e variantit Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme në shumë vende të botës.

    “Sir Jeremy ka theksuar se ardhja e variantit të ri në Kosovë, e shoqëruar me një rritje të shpejtë të infektimeve, është e pashmangshme, si në Kosovë, ashtu edhe në të gjithë botën. Mirëpo, ai njëkohësisht e ka përgëzuar Kosovën për suksesin e saj në mbajtjen nën kontroll të gjendjes epidemiologjike dhe ka vlerësuar se kjo gjendje aktuale do të favorizojë Kosovën në ballafaqimin me valën e variantin Omicron, sidomos në krahasim me vendet tjera, të cilat po ballafaqohen njëkohësisht me valën e këtij variant dhe të atij paraprak”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se mes këshillave të tjera, Sir Jeremy ka potencuar se mënyra më efikase se si Kosova mund të përgatitet tani për valën e ardhshme është vazhdimi i fushatës së vaksinimit, që përfshin vazhdimin e vaksinimit të sa më shumë qytetarëve, sidomos atyre mbi 18 vjeç, me dy dozat e para të vaksinës dhe shkurtimin e periudhës së pritjes për dozën përforcuese prej 6 deri në 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

    Në fund të takimit, Sir Jeremy shprehu gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e tij dhe për t’i mbajtur vazhdimisht të informuar kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për zhvillimet më të fundit shkencore rreth variantit të ri Omicron dhe çështjeve të tjera lidhur me pandeminë”, thuhet në komunikatë.

    Sir Jeremy Farrar mban pozitën e Drejtorit të Fondacionit “Ëellcome Trust” të Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shërbyer si anëtar i Grupit Këshillëdhënës Shkencor për Emergjenca (SAGE), organi kryesor për ofrimin e këshillave për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar rreth menaxhimit të pandemisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!