Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 25”, nga data 26 maj deri më 9 qershor, shkruan Reporteri.net.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.
Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet në njoftim.
Kosova ishte paraparë të ishte nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2023, por që ishte pezulluar pastaj.
Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Tensionet patën kulmuar më 29 maj, kur protestuesit ishin përleshur me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan.
Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar këtë si një “fatkeqësi”.
“Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, kishte deklaruar Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri./Repoteri.net