×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova pa buxhet dhe pa para të planifikuara për zgjedhjet e reja

    Reporteri
    22 Dhjetor 2020 | 20:27

    Votimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 ka mbetur peng i situatës së re të krijuar në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e konsideroi zgjedhjen e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, jokushtetuese. Ky vendim e çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme, aktualisht pa mjete për realizimin e tyre.


    Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në kuvend nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Kosovës.

    Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.

    Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.

    Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

    Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi me komunitetin e biznesit në vend, ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.

    KQZ: Nuk ka para për zgjedhje

    Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për procesin zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve. KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur shpallen këto zgjedhje”, tha Elezi.

    Buxheti për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor në vitin 2019 ishte rreth 6 milionë euro.

    Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi thotë se është mirë që kuvendi aktual jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por që të mos ketë edhe bllokadë buxhetore, të miratojë buxhetin për vitin 2021.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!