×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për 30 ditë në Serbi, familjarët japin detaje

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 16:11

    Autor: Arlinda Rrmoku


    Nezir Mehmetaj vazhdon të jetë në duart e shtetit të Serbisë.
    Gazeta online Reporteri.net, ka kontaktuar me pjesëtarë të familjes së Nezirit, të cilët kanë bërë të ditur se vazhdojnë përpjekjet që ai të lirohet, por deri tash nuk ka asnjë zhvillim.


    Nezir Mehmetaj ka pritur që do të lirohet më 28 shkurt ose më 2 mars, por Reporteri.net ka mësuar se atij i është shtyrë masa e paraburgimit të paktën edhe për 30 ditë.

    Vëllai i Nezirit, Agron Mehmetaj, ka thënë për Reporterin se gjendja shëndetësore e vëllait të tij nuk është e mirë pasi që Neziri vuan nga diabeti dhe është duke u trajtuar me insulinë.
    Po ashtu ai ka bërë të ditur se nuk ka shenja të keqtrajtimit nga policia serbe.

    Familja Mehmetaj është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, nga të cilët janë njoftuar se janë duke kontaktuar edhe me Bashkësinë Evropiane dhe marrin premtime se do bëjnë gjithçka që iu përket si Ministri që Nezir Mehmetaj të lirohet sa më shpejt.

    Familja Mehmetaj nuk ndihet e sigurt që të shkojnë dhe ta vizitojnë djalin e tyre nga frika se edhe ata do përfundojnë njëjtë sikur Neziri.

    Avokati i Nezir Mehmetajt, ka bërë të ditur se e ka njoftuar edhe Avokatin e Popullit në Serbi, Zoran Pašalić, si dhe aktivisten më të njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq për këtë rast, pasi që sipas tij po mbahet në burg pa të drejtë.

    Agron Mehmetaj, thotë se e vetmja arsye pse vëllai i tij po mbahet në burg, është fakti se është shqiptar.

    Prokurori ka qëllimet e tij personale, shkaku i urrejtjes që ka ndaj shqiptarëve dhe në vend se ta lirojë, ai dje prapë ia ka vazhdu paraburgimin edhe për një muaj”, ka thënë ai.

    Si pasojë  e rastit të Nezir Mehmetajt, gjendja shëndetësore e nënës së tij është përkeqësuar dhe ajo e ndien vetën shumë keq për këtë që ka ndodhur.

    Nezir Mehmetaj nga fshati Rudnicë e Komunës së Klinës, tash e 30 vite jeton në Zvicër, ndërkaq gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë nuk kishte udhëtuar për në Serbi.

    Por, mëngjesin e së premtes të 3 janarit të vitit 2020, ai bashkë me nënën e tij, Nazlien, kishin shkuar për një vizitë mjekësore në Nish.
    E kjo vizitë mori kthesë tjetër, pasi që atyre u doli një problem i cili përfundoi me arrestimin e tij nga policia serbe.

    Nazlie Mehmetaj, ka bërë të ditur për mediet vendore se kishte qëndruar për tri orë në pikën kufitare në Merdare për të marrë një përgjigje që tregonte arsyen e ndalimit të djalit të saj, Nezirit.

    Sipas dyshimeve të saj, Nezir Mehmetaj, po gjendet në mbajtje për shkak se babai i tij, Mustafë Mehmetaj, ishte i burgosur politik gjatë regjimit serb në Kosovë.

    Fillimisht, Mehmetajt i ishte caktuar masa e arrestit prej 48 orësh, nën dyshimin për krime lufte kundër civilëve.
    Këtë e kishte bërë të ditur për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, zëdhënësi i Prokurorit për Krime Lufte në Beograd, Vasilije Seratliq.

    Lidhur me këtë rast pati reaguar edhe ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili kishte thënë se zyra e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do t’i marrë të gjitha masat e duhura për ta siguruar lirimin e Nezir Mehmetajt.

    Po ashtu ai ka thënë se arrestimi është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

    Më 5 janar, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Lajmin e pati bërë të ditur vëllai i Nezirit, Valon Mehmetaj.

    Vëllain tonë dhe vëllain tuaj sot gjykata e Serbisë e ka dënuar me 30 ditë paraburgim, apelojmë te institucionet përkatëse që ta marrin seriozisht këtë çështje që ai të lirohet sa më pare”, ka shkruar ai në një status në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

    I njëjti ka njoftuar se tri herë është hedhur poshtë kërkesa për lirimin e Nezir Mehmetajt dhe ka kërkuar përkrahje edhe nga Presidenti Thaçi, duke i kushtuar një status në Facebook me të gjitha kërkesat e familjes.

    Familja Mehmeti po ashtu kërkon që të bëhet ekstradimi i djalit të tyre në mënyrë që gjykimi të bëhet nga gjykatat në Kosovë.

    Por edhe pas 2 muajve, ai as nuk është liruar dhe as nuk është ekstraduar në Kosovë./Reporteri/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!