×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarja që iu bashkua ISIS-it pranon fajësinë, dënohet nga Gjykata

    Reporteri
    15 Janar 2020 | 13:04

    Dy vjet burgim me kusht, të mërkurën, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupin terrorist, Florinda Zymeri, e cila në seancën fillestare të mbajtur më 14 janar, e kishte pranuar fajësinë.


    Dënimi me kusht i shqiptuar ndaj saj, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë nga gjykatësja e Departamentit Special, Valbona Selimaj, e cila ka njoftuar se në rast të revokimit të dënimit me kusht në atë me burgim, në kohëzgjatjen e dënimit do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga e akuzuara.

    E akuzuara është obliguar nga gjykata që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu apo këshilluesi tjetër, derisa për mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj mase, gjykata ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës.

    Gjykatësja Selimaj, ka njoftuar se për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, e akuzuara Zymeri do të lirohet nga pagesa e shpenzimeve procedurale.

    Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga marrja e një kopjeje të tij.

    Paraprakisht, e akuzuara Zymeri në seancën fillestare të mbajtur më 6 dhjetor 2019 ishte deklaruar e pafajshme për pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 14 janar, ajo është deklaruar fajtore për këtë vepër.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Florinda Zymeri, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, ajo akuzohet se më 23 gusht 2014, me dëshirë të plotë, me vetëdije përmes aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka lëshuar vendbanimin e saj të përhershëm në Republikën e Kosovës, për të vazhduar fluturimin për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë.

    PSRK-ja pretendon se këto veprime janë ndërmarrë nga e akuzuara, me qëllim që përmes territorit të Republikës së Turqisë ajo të udhëtojë në Irak dhe Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila ishte duke luftuar dhe shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjerë te vrasjet në këto shtete, organizatë kjo e shpallur terroriste nga OKB-ja.

    Ndryshe, e akuzuara bënë pjesë në grupin e grave të riatdhesuara nga Siria, më 24 prill të këtij viti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!