Këshilli Prokurorial i Kosovës i është kundërpërgjigjur edhe njëherë Presidencës pasi këta të fundit akuzuan KPK-në se po vendosin ultimatum dhe po i bëjnë presion institucionit të Presidentës duke kërkuar emërimin e Kryeprokurorit.
Presidenca pati thënë se kërkesa e KPK-së është pa asnjë bazë ligjore, mirëpo Këshilli konsideron se kërkesa është ligjërisht e bazuar dhe nuk po shtrembërojnë fakte, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“KPK-ja thekson se kërkesa e saj është e bazuar dhe nuk bëhet fjalë për pasaktësi në përshkrimin e fakteve dhe në paraqitjen e argumenteve lidhur me këtë çështje, sepse aty është përshkruar vetëm vazhdimësia e trajtimit ligjor nëpër instancat gjyqësore, nëpër të cilat ka kaluar procesi i rekrutimit të Kryeprokurorit të Shtetit, i cili është atakuar nga disa kundërkandidatë në Gjykatën Kushtetuese, me ç’rast pretendimet janë cilësuar si ta pabaza dhe, gjithashtu, ky proces është kontestuar edhe në gjykatat e rregullta deri në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila ka refuzuar pretendimet e tilla”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial dërguar Telegrafit.
Tutje, KPK thotë se Kryeprokurori është kreu i institucionit të Prokurorit të Shtetit, dhe si i tillë është i domosdosshëm në mbarëvajtjen dhe sigurimin e funksionalitetit juridik të këtij institucioni.
“Ngaqë sistemit prokurorial i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore për sigurimin e funksionalitetit të këtij sistemi dhe se ushtrimi i detyrave të Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtrues detyre për një kohë të gjatë mund të sjellë pasiguri në planifikimet afatmesme dhe afatgjata për institucionet prokuroriale dhe për vetë shtetin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit”.
Sipas KPK-së, kjo kërkesë nuk mund të kualifikohet si një formë e presionit, duke pasur parasysh se nga data 08.04.2022 kur është propozuar për dekretim Blerim Isufaj e deri më tani po bëhet një vit nga koha kur i është propozuar Zyrës së Presidentes.
“Andaj është kërkuar të trajtohet me urgjencë kjo çështje, gjë që është akceptuar gabimisht, duke u keqinterpretuar si ‘ultimatum’ nga zyrtarët e Zyrës së Presidentes. Në fakt, dekretimi i Kryeprokurorit të ri të Shtetit paraqitet si nevojë imediate dhe e domosdoshme dhe nuk e ka semantikën e fjalës “ultimatum”, por është evidente në kuptimin e përshpejtimit të dekretimit për krijimin e mundësisë për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, me fuqi kushtetuese dhe ligjore”, thuhet tutje.
Reagimi i fundit nga Presidenca kishte ardhur më 5 prill, të njëjtën ditë kur Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Presidentes Osmani dekretimin e Blerim Isufajt Kryeprokuror, duke konsideruar se janë shterrur të gjitha rrugët ligjore.
Nga Presidenca, këtë kërkesë të Këshillit e konsideruan si ultimatum, dhe pa asnjë bazë ligjore. Si e tillë, thuhet në reagim, ajo nuk i kontribuon forcimit të integritetit të sistemit prokurorial në Kosovë.
“Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët. Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së. Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore”, thuhet në reagim.
Tutje, bëhet e ditur se Presidentja do ta marrë vendimin në prill, kur edhe nuk do të ketë më ndonjë kontestim ligjor që po e pengon procesin e përzgjedhjes.
“Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit. Për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative”, vazhdon komunikata.
Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, si nga organizatat në Kosovë, po ashtu edhe nga Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces. /Reporteri.net/.