×
  • Lajme
  • Lajme

    KPK: Komisioni i Venecias rrëzoi iniciativat e MD-së

    Reporteri
    14 Dhjetor 2021 | 16:50

    Këshill Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draft-amendamentimin e Ligjit për KPK-në.

    Ndonëse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh “shumë e lumtur” që Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për dy pika të këtij Ligji, që është ulja e mandatit të anëtarëve të KPK-së, nga 13 në 7 vjet dhe rekomandimi tjetër pozitiv për ndërprerjen e mandatit për disa anëtarë të KPK, është një pikë tjetër të cilën e para e drejtësisë nuk e ka komentuar.

    Megjithatë, KPK-ja ka thënë se ky opinion siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial duke ritheksuar se “iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare”.

    “Në opinion, përkatësisht në pikën 49, theksohet se procedura e zgjedhjes së anëtarëve laikë (që nënkupton edhe iniciativën e zgjedhjes së anëtarit prokuror nga Kuvendi i Kosovës) është shumë e ndërlikuar, e paqartë dhe krijon mundësi për manipulime. Komisioni i Venecias në pikën 57 të këtij opinioni, ngreh dy shqetësime kryesore; Një ‘Këshill i ‘reduktuar’ që do të përbëhej ekskluzivisht prej anëtarëve laikë (duke përfshirë edhe prokurorin të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës) do të ketë të njëjtin pushtet si Këshilli Prokurorial i Kosovës me përbërje të plotë, dhe më e rëndësishmja se ai do të vendosë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit që do të bëhet në fillim të vitit 2022”.

    “Çështja e dytë është se i njëjti ‘Këshill i reduktuar’ me përfaqësues laikë do të sigurojë kontroll të plotë në komisionin zgjedhor që mbikëqyrë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit nga kolegët e tyre”, thotë KPK-ja në reagimin dërguar mediave.

    KPK-ja thotë se sipas mendimit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë “janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane”, dhe këto ndryshime “propozojnë largimin e prokurorëve nga qeverisja e sistemit prokurorial në momentin më kritik kur do të zgjedhet Kryeprokurori i Shtetit dhe anëtarët prokurorë nga radhët e tyre”.

    “Ndërsa, sa i përket shkëputjes së mandatit të anëtarëve aktual të KPK-së, Komisioni i Venecias në pikën 54, rithekson se ndërprerja e mandatit të parakohshëm të një anëtari të Këshillit (kur nuk vjen për shkak të dorëheqjes vullnetare, shfuqizimit të tërë institucionit ose për arsye të tjera të ngjashme) duhet të lidhet gjithmonë me një keqbërje të identifikueshme ose dështim në ushtrimin e detyrës së tij ose të saj. Anëtarët e KPK-së nuk duhet të ‘fajësohen’ thjeshtë sepse shumica parlamentare ose kolegët e tyre nuk pajtohen me vendimet që ata marrin”, thekson më tej KPK-ja në reagim.

    Po ashtu, në konkluzionet e opinionit, në pikën 71, sipas KPK-së, shprehimisht thuhet se “reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj shumicës qeverisëse e që propozimi i Ministrisë së Drejtësisë rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në”.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar që të punojë në drejtim të zbatimit të plotë të Strategjisë së Sundimit të Ligjit “e cila ruan pavarësinë institucionale dhe synon të avancojë forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!