×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ-ja ka kërkuar verifikimin e mbi 3 mijë kandidatëve për zgjedhjet lokale

    Reporteri
    20 Gusht 2021 | 13:03

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për medie lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.


    Ai ka bërë të ditur se i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës me lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike.

    “Janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione”.

    Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.

    Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

    Sipas tij, në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

    “Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!