×
  • Lajme
  • Lajme / Mbledhja

    KQZ ndryshon rregulloren për votimin nga diaspora, regjistrimi me fotografi në kohë reale dhe fletëvotimi përmes postës

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 17:30

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar plotësim-ndryshimin e Rregullores Zgjedhore që ka të bëjë me procesin e regjistrimit dhe votimit të qytetarëve jashtë Kosovës.

    Sipas ndryshimeve të reja, regjistrimi i votuesve nga diaspora do të bëhet përmes një fotografie në kohë reale, përmes platformës së KQZ-së, ku qytetari duhet të jetë me letërnjoftimin në dorë. Kjo masë është ndërmarrë për të rritur sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

    Po ashtu, fletëvotimet nuk do të shkarkohen më përmes platformës elektronike, por do të dërgohen fizikisht me postë te secili qytetar që regjistrohet për të votuar jashtë vendit. KQZ do të kontraktojë një shërbim postar për këtë qëllim, duke përfshirë edhe zarfin kthyes për dërgimin e votës.

    Këto ndryshime do të zbatohen në të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore, përfshirë zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

    Pavarësisht kostos më të lartë që pritet të sjellin këto masa, anëtarët e KQZ-së nga subjektet politike e kanë vlerësuar pozitivisht vendimin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të votës së diasporës.

    Arianit Elshani nga PDK theksoi se ndryshimet janë të domosdoshme për shkak të dyshimeve të ngritura në zgjedhjet e kaluara për votimin jashtë vendit. “Regjistrimi do të bëhet në kohë reale, me dokument identifikimi në dorë, ndërsa fletëvotimi do t’u dërgohet votuesve përmes postës”, tha ai.

    Alban Krasniqi nga LVV vlerësoi transparencën e procesit dhe shtoi se kostoja do të jetë më e lartë, por e domosdoshme për një proces të drejtë.

    Në të njëjtën linjë ishte edhe Muharrem Nitaj nga AAK, i cili tha se ruajtja e integritetit zgjedhor nuk duhet të cenohet për shkak të kostos. Samit Hamiti nga LDK shtoi se qëllimi kryesor është ruajtja e së drejtës për të votuar, pa e komprometuar integritetin e procesit.

    Megjithatë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shprehu dilema për realizueshmërinë teknike të këtyre ndryshimeve nga ana e Sekretariatit të KQZ-së, duke abstenuar në votim. Ai kërkoi sqarime nëse Sekretariati ka kapacitet të mjaftueshëm për implementimin e procedurave të reja.

    Nga Sekretariati, Besnik Buzhala deklaroi se pavarësisht sfidave, do të bëhen përpjekje maksimale për zbatimin e rregullores së re.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!