×
  • Lajme
  • Lajme / Zëdhënësi

    KQZ në pritje të datës nga Presidentja për të filluar organizimin e zgjedhjeve lokale

    Reporteri
    04 Qershor 2025 | 21:08

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i përgatitur për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat, siç raportoi gazeta online Reporteri.net, pritet të mbahen më 12 tetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Reporteri.net se institucioni që përfaqëson është në pritje të vendimit zyrtar nga Presidentja e Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të caktimit të datës për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për të filluar me përgatitjet e përgjithshme për organizimin e këtij procesi zgjedhor. ”, deklaroi Elezi.

    Sipas tij, një nga veprimet e para që do të ndërmerren pas dekretimit të datës është miratimi i afateve dhe planit të aktiviteteve zgjedhore.

    “Një nga hapat e parë që do të ndërmarrë KQZ është miratimi i afateve dhe planit të aktiviteteve zgjedhore. Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon. Këto aktivitete, që ndërlidhen drejtëpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve”, sqaroi ai.

    Presidentja Vjosa Osmani pritet që në ditët në vijim të zyrtarizojë datën e zgjedhjeve, pasi përfundoi raundin e konsultimeve me partitë politike.

    Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 Tetor

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!