Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet financiare të partive politike për vitin 2024. Raportet janë audituar nga auditorë të cilët janë përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të hapur publik nga Zyra për Regjistrim, Certtifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, sipas KQZ’së.
Tek raporti për Lëvizjen Vetëvendosje një ndër gjetjet është mungesa e dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve.
Për disa blerje, VV ka pranuar vetëm kupona fiskal pa dokumentacion tjetër mbështetës që i arysetojnë dhe mbështesin shpenzimet e bërë dhe se në disa raste faturat janë lëshur në emër të anëtarëve dhe menaxhmentit, e jo subjektit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit”, thuhet në raport.
Tjetër gjetje është edhe mosdeponimi i të hyrave nga anëtarësimet në llogarinë bankare.
Bëhet fjalë për 493 euro që VV kishte pranuar nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë deponuar në llogarinë bankare.
“Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 si dhe Rregullorja Nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që obligojnë subjektet politike të kryejnë të gjitha transaksionet përmes llogarisë së vetme bankare dhe të deponojnë të hyrat në para të gatshme brenda 5 ditësh nga pranimi”, thekson raporti.
Në raport thuhet se “Sipas opinionit tonë, pasqyrat financiare te bashkangjitura paraqesin drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Subjektit Politik me më datën 31 Dhjetor 2024, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për periudhën, në pajtim më Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”.
Tek raporti për Partinë Demokratike të Kosovës theksohet si gjetje mospasqyrimi i saktë i kontributeve në natyre dhe shpenzimeve të qirasë.
“Subjekti politik ka njohur si kontribute në natyrë dhe shpenzime për qira shumën 2,900.00 euro për një objekt në Gjilan, për të cilin nuk është e qartë pronësia. Sipas deklaratës së nënshkruar nga subjekti politik, ky objekt është në shfrytëzim nga viti 1999, por nuk ekziston dokumentacion mbështetës që të vërtetojë të drejtën e shfrytëzimit ose pronësinë mbi këtë pronë. Mungesa e këtyre të dhënave krijon pasiguri lidhur me korrektësinë e prezantimit të kontributeve në natyrë dhe shpenzimeve në pasqyrat financiare”, thuhet në raport.
Gjetja e dytë është se për mungesën e procedurave të prokurimit. Në raport thuhet se kjo parti nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, duke rritur rrezikun për shpenzime joefikase dhe përdorim joekonomik të fondeve.
“Për më tepër, subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve”, thekson raporti.
Tek gjetjet përmendet edhe mungesa e funksionalizimit të kontrollit të brendshëm financiar.
“Edhe pse subjekti politik e ka të definuar me Statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe ka procedura te brendshme te aprovuara, ky mekanizëm nuk është funksional dhe nuk është aplikuar në të gjitha rastet e blerjeve dhe furnizimeve. Kjo përbën shkelje të kërkesave të Ligjit Nr. 08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L212 dhe Ligjin Nr. 04/L-058, Neni 17 – Kontrolli i Brendshëm, duke krijuar rrezik për keqpërdorim të fondeve dhe menaxhim jo transparent të burimeve financiare”.
Në raport theksohet edhe mungesa e nënshkrimeve të rregullta në pasqyrat financiare
“Pasqyrat financiare të subjektit politik nuk janë të nënshkruara në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe UA MF-Nr. 07/2019, Neni 8 – Nënshkrimi i Pasqyrave Financiare, Pika 2, e cila kërkon që nëse drejtori financiar ose zyrtari kryesor financiar nuk është i certifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat duhet të nënshkruhen edhe nga një kontabilist i certifikuar. Mungesa e nënshkrimeve të duhura ndikon negativisht në besueshmërinë e pasqyrave financiare dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore”, thuhet në raport.
Tek pasqyrat financiare të PDK’së, është dhënë “Opinion i kualifikuar”.
“Sipas mendimit tonë, me përjashtim të efekteve për çështjet e përshkruar në seksionin e Bazës për Opinion të kualifikuar të raportit tonë, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura paraqesin drejt, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit Politik me datën 31 Dhjetor 2024, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për vitin e përfunduar me këtë date, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-174, Për financimin e subjekteve politike dhe me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, thuhet në raport.
Edhe tek raporti për pasqyrat financiare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “Opinion i kualifikuar”.
“Sipas mendimit tonë, me përjashtim të efekteve për çështjet e përshkruara në seksionin e Bazës për Opinionin të kualifikuar të raportit tonë, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura paraqesin drejt, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit Politik me datën 31 Dhjetor 2024, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për periudhën, në pajtim me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, thuhet në raportin e Auditorëve të pavarur.
Tek bazat për këtë opinion çështja e parë që përmendet është mungesa e dokumentacionit të pronësisë dhe qirasë.
Përmendet objekti i selisë qëndrore.
“Gjatë auditimit tonë, kemi konstatuar se Subjekti Politik LDK ka paraqitur një kontratë shitblerjeje për një pjesë të objektit dhe një kontratë qiraje për një pjesë tjetër të objektit që përdoret si seli qendrore. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij objekti vazhdon të mos jetë e mbuluar me dokumentacion të plotë pronësie, si fletët poseduese, ose me kontrata të vlefshme qiraje, pavarësisht se subjekti politik ka deklaruar dhe paguar tatim në pronë për këtë objekt në vlerë prej 765.00 euro për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2024. Mungesa e dokumentacionit të pronësisë dhe qirasë kufizon aftësinë tonë për të verifikuar ekzistencën, tërësinë dhe saktësinë e vlerës së pasurive të regjistruara në pasqyrat financiare”.
Tek gjetjet, përmendet mungesa e procedurave të tenderimit për blerje.
“Subjekti Politik nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet e kryera, duke mos siguruar një shfrytëzim efikas, ekonomik dhe transparent të fondeve të subjektit politik. Mungesa e këtyre procedurave rrit rrezikun e shpenzimeve të pajustifikuara dhe cenon parimet e transparencës financiare, siç kërkohet me ligjin Nr. 04/L-212 për financimin e subjekteve politike”, thekson raporti.
Theksohet edhe mospërmbushja e kërkesave për kontroll të brendshëm.
“Edhe pse neni 36 i statutit të subjektit politik përcakton mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe të drejtën e anëtarëve për informim lidhur me të hyrat dhe shpenzimet, nuk është kryer asnjë kontroll i brendshëm për periudhën e auditimit. Komisioni mbikëqyrës, I cili sipas ligjit Nr. 04/L-212 dhe nenit 17 të Ligjit për kontrollin e brendshëm, është përgjegjës për monitorimin e këtyre proceseve, nuk ka kryer detyrën e tij dhe nuk ka ofruar ndonjë raport për punën e bërë”.
Në fund është mungesa e dokumentacionit për zyra të pashpalosura.
“Përveç zyrave dhe lokaleve për të cilat posedon dokumentacionin e nevojshëm, Subjekti Politik ka në shfrytëzim edhe 8 zyra/lokale të tjera në qytete të ndryshme të Kosovës, për të cilat nuk është paraqitur dokumentacioni që vërteton të drejtën e shfrytëzimit të tyre. Mungesa e këtij dokumentacioni rrit rrezikun për shpenzime të paautorizuara dhe cenon transparencën në raportimin financiar”, thekson raporti.
Tek raporti për pasqyrat financiare të AAK’së, nuk është theksuar ndonjë gjetje.
“Sipas mendimit tonë, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura paraqesin drejt, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit Politik me datën 31 Dhjetor 2024, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për periudhën, në pajtim me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, thuhet në raportin e Auditorëve. /Reporteri.net