Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar raportet financiare të subjekteve politike për periudhën korrik-shtator 2024.
Në këto raporte përfshihen shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera.
Sipas raporteve të publikuara nga KQZ del se më së shumti gjatë kësaj kohe ka shpenzuar Lëvizja Vetëvendosje, gjithsejt 351 mijë e 708 euro.
Për shpenzime të përgjithshme, VV-ja i dha 257 mijë e 685 euro, ku pjesa më e madhe ishte për paga dhe mëditje, për të cilat shpenzoi 195 e 187 euro.
Për shpenzime komunale, VV-ja i dha 3 mijë e 198 euro, ndërsa për telefon shërbime të komunikimit i dha 4 mijë e 194 euro.
Po sipas raportit mbi 55 mijë euro, VV-së i shpenzoi për qiranë e zyrës për tre muaj.
Për shpenzime të transportit, partia e kryeministri Albin Kurti i dha 29 mijë e 100 euro për korrik, gusht dhe shtator, ku vetëm për karburante, VV-ja i dha 12 mijë e 29 euro, për transport të njerëzve 13 mijë e 975 euro, kurse për mirëmbajtje të automjeteve 3 mijë e 94 euro.
Për blerje të mallrave, për tre muaj, VV-ja i shpenzoi 35 mijë e 560 euro, ku furnizimi për zyrë i kushtoi 7 mijë e 447 euro, për inventar të zyrës 3 mijë e 752 euro, kurse për ushqim dhe pije 24 mijë e 361 euro.
Për “shpenzime përfaqësimi”, VV-ja i dha 18 mijë euro, ndërsa për salla e hapësira të tjera i dha 4 mijë euro, ndërsa për “shpenzime informimi (TV, radio, gazeta etj) 4 mijë e 907 euro.
Kurse, dy kategoritë në të cilat pati më së paku shpenzime VV-ja në tre muajt e fundit janë investime logjistike për të cilat dha veç 930 euro, ndërsa për “shpenzime të tjera” i dha 779 euro.
Përgjysmë më pak gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar Partia Demokratike e Kosovës, subjekti i dytë politik më i madh në vend. Kjo parti ka shpenzuar gjithsejt 160 mijë e 137 euro.
Ndërsa, pak më pak ka shpenzuar në këtë kohë Lidhja Demokratike e Kosovës, fuqia e tretë politike më e madhe në vend. Shuma që ky subjekt ka shpenzuar arrin shifrën e 147 mijë e 841 eurove.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas raportit tremujor financiar që ia ka dërguar KQZ-së, gjatë periudhës korrik-shtator ka shpenzuar 80 mijë e 944 euro.
Edhe partitë tjera parlamentare të minoriteteve i kanë dërguar raportet e tyre financiare në KQZ.
Për çdo vit, nga Buxheti i Republikës së Kosovës ndahen mjete për subjektet politike parlamentare, të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Mjetet Financiare të dedikuara për subjektet politike, në bazë të ligjit, janë transferuar në llogaritë e secilit subjekt të cilët janë përfitues nga ky fond.
Ndërsa mjetet e ndara për Grupet Parlamentare janë menaxhuar nga sekretari i Sekretariatit të KQZ-së dhe me kërkesat e Grupeve Parlamentare janë kryer të gjitha transaksionet e nevojshme për shpenzimet e aktiviteteve të Grupeve Parlamentare.
Subjektet Politike, në bazë të memorandumit të nënshkruar me Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë obliguar që të raportojnë për çdo tremujor për shpenzimin e mjeteve që iu është transferuar në llogarinë e subjektit politik.