×
  • Lajme
  • Lajme / Rezultatet e zgjedhjeve

    KQZ refuzon afër 5 mijë pako me fletvotime nga jashtë, Elezi: Numërimi i votave me postë fillon brenda disa ditësh

    Reporteri
    24 Shkurt 2025 | 15:29

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar vlerësimin e pakove me fletvotime të ardhura nga jashtë vendit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha në një konferencë për media se janë refuzuar afro 5 mijë pako me fletvotime për shkak të parregullsive të evidentuara.

    “Të dielën në mbrëmje ka përfunduar vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Ne i referohemi si “pako të supozuara me fletëvotime” pasi në këtë fazë nuk hapen zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime. Kjo do të bëhet gjatë numërimit. Sipas të dhënave preliminare, procesit të vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës i janë nënshtruar rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.”, tha ai.

    Momentalisht, ai tha se KQZ-ja po e bën “skanimin e listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht”.

    Elezi tha se procesit i vlerësimit përfshinë verifikimin nëse pakot e dërguara u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

    “Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.”, u shpreh Elezi.

    Sipas tij, procesi i numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës do të fillojë brenda disa ditësh.

    “Numërimi i këtyre fletëvotimeve , votave me kusht, votave të personave me aftësi të kufizuara dhe atyre nga jashtë siç e kemi thënë edhe më herët do të fillojë brenda disa ditëve këtu në Qendrën e  Numërimit të Rezultateve.”, tha Elezi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!