Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka reaguar pas skandalit në Spitalin e Pejës, ku sipas raportimeve të mediave, një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë.
Krasniqi ka thënë se është i shokuar nga ky rast, derisa i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti që sa më shpejtë ta emërojë Ministrin e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, ka shkruar Krasniqi.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se rasti ka ndodhur javën e kaluar, ndërsa janë në fazat fillestare hetimore.
Tutje, ai njoftoi se prokurorja e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.
“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”,
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet. Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur.
“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.