Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka folur lidhur me iniciativat e grupeve për largimin e kryetarëve në komunat veriore, të cilët janë autorizuar dhe janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve, shkruan Reporteri.net.
Ministri Krasniqi bëri të ditur se edhe dje gjatë takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, i ka informuar ata rreth këtij procesi.
Ai tha se nga data 22 dhjetor kanë filluar të rrjedhin afatet e parapara me Udhëzimin Administrativ.
“Dje kemi pasë një takim edhe me diplomatë të vendeve të QUINT dhe BE-së, të cilët i kemi informuar për procesin iniciativën, zhvillimet dhe përgjegjësitë që burojnë nga udhëzimi administrativ. Tashmë qytetarët në veri të vendit kanë inicuar kërkesën e tyre të parë dhe janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Tashmë kemi 4 grupe të qytetarëve në veri të vendit që janë autorizuar në mbledhje të nënshkrimeve”, tha Krasniqi.
“Nga informacionet që i kemi nga kryesuesit e kuvendeve të komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, më 22 dhjetor janë takuar me qytetarët që kanë iniciuar këtë proces dhe janë autorizuar si palë dhe nga data 22 dhjetor fillojnë të rrjedhin afatet e parapara me Udhëzimin Administrativ”, tha Krasniqi.
Krasniqi foli edhe për masat ndaj Kosovës të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi, e për të cilat tha se janë të padrejta qysh kur janë vendosur muaj më parë.
“Udhëzimi administrativ parasheh secilën situatë edhe kur kryesusi i Kuvendit nuk e përmbush detyrën e tij. Të gjithë grupet kanë autorizimet e nevojshme në implementimin e të drejtës së tyre. Sa i përket masave, vazhdojnë të jenë të padrejta, si sot, si kur ate dite kur i janë vendosur Kosovës.”, tha ai./Reporteri.net/