×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi: Marrëveshja e Ohrit mundësi e humbur për Kosovën, rezultat i gabimeve të Kurtit

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 12:05

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka pritur në selinë e partisë që drejton Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari”, skruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se me ta ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, pas pranimit të propozimit evropian nga Kryeministri Kurti dhe pas dakordimit për aneksin e zbatimit të këtij plani.

    “Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari” (CMI). Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situtatën aktuale politike, pas pranimit të propozimit evropian nga Kryeministri Kurti në Bruksel dhe dakordimit për aneksin e zbatimit të tij në Ohër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Në postimin e tij, Krasniqi thekson se për PDK-në, Marrëveshje e Ohrit nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse, e që siç thotë ai “heq dorë nga njohja e ndërsjellë”, dhe është e pamjaftueshme.

    “Për ne, kjo marrëveshje, e cila nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse dhe që heq dorë nga njohja e ndërsjellë, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë”, tha Krasniqi.

    Sipas Kryetarit të PDK-së, kjo Marrëveshje është rezultat i gabimeve të Kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet që ka Kosova.

    “Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare. Mysafirët i falënderova për vizitën dhe mbështetjen konstante që Finlanda ka dhënë për Republikën e Kosovës”, shkroi Memli Krasniqi në Facebook./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!