×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi nuk donte të merrte avokat mbrojtës

    Reporteri
    09 Nëntor 2020 | 11:58

    Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot është paraqitur për herë të parë para Gjyqtarit të Procedurës paraprake në Tribunalin Special në Hagë.


    Pasi iu lexuan të drejtat Jakup Krasniqit nga gjykatësi i procedurës paraprake, ai u pyet nëse e ka kuptuar. Por Krasniqi tha e kupton dhe se nuk kishte dashur të merrte avokat mbrojtës, por e mori pas insistimit të familjes dhe shokëve.

    “Po i kuptoj. Por, duhet të them diçka për mbrojtjen. Realisht unë fillimisht nuk kam menduar që të marrë avokat mbrojtës. Dhe atë nuk e kam marrë me vullnetin tim, as me bindjen time se më duhet avokati. Ishte dëshira e familjes dhe e shokëve që të kam avokat. Dhe e pranova. Por, përndryshe jam i bindur se nuk më duhet avokati. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem. As të veprimit e as të mosveprimit”, tha Krasniqi. “Detyra ime ka qenë publike, kryesorja ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Kam pasur detyra edhe pas lufte, kam qenë ministër, dy mandate kryetar i Kuvendit. Por, detyra që më ka fjetur më së shumti në shpirt ka qenë ajo e zëdhënësit të UÇK-së. Gjithçka që kam bërë ka qenë publike, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën gjermane, angleze, frënge e italiane. Unë kam qenë zëdhënës dhe i kam dhënë zë luftës së UÇK-së. Ka qenë tepër e vështirë, rrethana tepër të vështira. Por megjithatë ishim të vendosur që kishim të drejtë të luftojmë për liri dhe natyrisht se në saje të asaj të drejte e fituam mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën nuk do ta çlironim Kosovën dhe nuk do ta formonim shtetin e Republikës së Kosovës. Veprat për të cilat pretendon aktakuza asnjëra nga to nuk qëndron. Unë në vitet, muajt në vazhdim, sigurisht se do të ofrojë fakte konkrete”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!