×
  • Lajme
  • Lajme / "Drejtësia do të triumfojë"

    Krasniqi për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë: Mund t’i burgosësh, por nuk mund t’ua mohosh prezencën

    Reporteri
    02 Prill 2024 | 12:08

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar një vjetorin e Marshit të Drejtësisë të mbajtur në sheshin e Prishtinës ku kishin marrë pjesë mijëra qytetarë nga komunat për të mbështetur heronjtë e luftës dhe paqes.

    Krasniqi  kur po bëhen tri vite e gjysmë nga shkruaja në Hagë e ish-krerëve të UÇK-së ka vizituar familjet e tyre. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar  që figura të historisë mund edhe t’i burgosësh por nuk t’ua mohosh prezencën.

    “Janë disa personalitete, të rralla gjatë historisë, emri dhe veprimtaria e të cilëve e tejkalon të zakonshmen. Të tillët, mund edhe t’i burgosësh, por s’mund t’ua mohosh prezencën. Të tillë janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, ka shkruar Krasniqi.

    Ndërsa ka shtuar se për gjithë këto vite ish-krerët kanë qenë të popullit dhe më së paku të familjeve të tyre.

    “Në 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes. Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre”, ka vijuar ai.

    Ndër të tjera ai ka shtuar se është detyrë e tyre që derisa të kthehen në Kosovë të vazhdojnë misionin e tyre për shtetndërtim.

    “Sot, është obligim i ynë që, deri kur t’i kemi përsëri fizikisht në mesin tonë, ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën për shtetndërtim, fuqizim dhe integrim. Ky është respekti dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë emrave të tyre, sakrificës së tyre, familjeve të tyre. Këtë ua thash edhe familjarëve të tyre të respektuar gjatë vizitave të sotme te ta”, ka shkruar kryetari i PDK-së.

    Në  prill të vitit të kaluar ka nisur gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

    Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!