×
  • Lajme
  • Lajme / 27 vjetori i Epopesë

    Krasniqi: Prekazi nuk është thjesht një vend, është altari i lirisë e themeli i shtetit

    Reporteri
    05 Mars 2025 | 11:06

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me anëtarë të partisë kanë bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ai shkruan se 27 vite më parë, një familje e tërë nuk u përkul, e qëndroi e pathyeshme, pasi “ata e dinin se liria fitohet me gjak dhe sakrificë”.

    “Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin”, shkruan Krasniqi në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 🌹

    27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!

    Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!

    Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!

    Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.

    Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi!
    Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!

    Lavdi familjes heroike Jashari!

    Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!