Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Francës, i cili përfshinte Marine Hamelet nga Rassemblement National (RN), Frédéric Petit nga Groupe Démocrate (MODEM), Pierre Pribetich nga Parti Socialiste (PS), dhe Jean-Louis Roumégas nga Groupe Écologiste et Social, të shoqëruar nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Kryetari Krasniqi ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë dhe të PDK-së për mbështetjen e palëkundur që Franca ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve dhe vazhdon të ofrojë, veçanërisht në përpjekjet për integrim evropian.
Në lidhje me zhvillimet politike në vend, Krasniqi ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja dhe funksionale që do të shërbejnë interesave të qytetarëve. Ai theksoi rëndësinë e adresimit të çështjeve të ndjeshme si kostoja e lartë e jetesës, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik.
Për më tepër, Kryetari Krasniqi kërkoi heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë, të cilat, sipas tij, po rëndojnë më shumë mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë. Ai kërkoi mbështetje të vazhdueshme nga Franca për avancimin e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për inkurajimin e shteteve mosnjohëse që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Në fund, ai e theksoi angazhimin e PDK-së për rrugën drejt Evropës, në bashkëpunim me aleatët dhe për qytetarët e Kosovës.