×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi: Sapo VV-ja ta sjellë në seancë mocionin, i ka votat e PDK-së

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 8:32

    Vetëvendosja do t’i ketë votat e PDK-së për rrëzimin e qeverisë, sapo ta sjellë zyrtarisht në Kuvend mocionin, thotë deputeti i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.


    “Ne nuk e kemi votu Albin Kurtin për kryeministër dhe kur ka ardhë një propozim me e heqë prej kryeministrit, e kemi votu. Nuk e kemi votu Avdullah Hotin dhe ditën që të vie një mocion për me e heqë, ne e votojmë. Duhet me ardhë mocioni zyrtarisht në rend dite në Kuvend”, ka thënë ai.

    Krasniqi në DESKU të KTV-së thotë se nuk kanë biseduar me VV-në për mocionin, përveç diskutimeve publike dhe kërkesës së tyre që çdo deputet ta votojë.

    “Jo nuk kemi bisedu, sepse VV e ka nisë një mocion në mungesë të temave, mbetën pa tema dhe e nxorrën një temë krejtësisht legjitime prej një partie opozitare, por nuk bëhet ajo punë ashtu. Dolën në një konferencë dhe thanë se mirë është me e nënshkru edhe deputetët tjerë, PDK-ja para se gjithash. Pastaj kishte deklarime prej zyrtarëve të tyre, ne e kemi bë mocionin me testu PDK-në”, tha ai.

    “Prej ditës së parë e kemi deklaruar këtë punë. E kemi përsëritur dhe ripërsëritur”, ka thënë ai. Por, si ka vazhduar, nga PDK-ja nuk mund të pritet që ta kryejë “punën e Vetëvendosjes, duke u bërë pjesë e planeve të tyre”.

    Si ka vazhduar ai, fjala është për plane “për të cilat as që janë konsultuar”.

    Ai ka mohuar të ishin bërë pjesë e LDK-së, kur u rrëzua Qeveria Kurti.

    “Nuk është ashtu, sepse LDK-ja nuk ka komunikuar me neve. 40 nënshkrime duhen për ta zyrtarizuar mocionin. Dhe brenda dy ditëve vendoset në votim. Jo më shpejt se dy dhe jo më vonë se pesë. Dhe këtë e dijnë, ua kemi thënë edhe në seancë. E kemi deklaruar secili prej nesh”, ka thënë ai.

    Si ka thënë Krasniqi, Qeveria nuk mund të rrëzohet vetëm nga VV-ja dhe PDK-ja.

    “As edhe me dy votat që Vjosa Osmani dhe ai deputeti tjetër i LDK-së që kanë qenë kundër Avdullah Hotin. Dhe meqë po e duan flamurin dhe bajrakun, është në rregull. Por vetëm le ta çojnë punën në fund. Votat e PDK-së, në ditën që zyrtarizohet mocioni, pra që në kuptimin ligjor janë 40 nënshkrime që e vendosin në seancë të re, të jashtëzakonshme, absolutisht i ka, të plota, 24, pa asnjë minus”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!