×
  • Lajme
  • Lajme / Kryetari i PDK-së,

    Krasniqi takon përfaqësuesit e instituteve evropiane për të diskutuar të ardhmen e Kosovës në raport me BE-në dhe stabilitetin rajonal

    Reporteri
    26 Mars 2025 | 16:27

     Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e katër organizatave dhe instituteve kryesore evropiane: Carnegie Europe, Notre Europe – Instituti Jacques Delors, Instituti Gjerman për Punë të Jashtme (DGAP) dhe Instituti Clingendael.

    Takimi, i organizuar në kuadër të vizitës studimore të këtyre instituteve në Kosovë nga data 25-28 mars, u fokusua në sfidat dhe perspektivat e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe në zhvillimet në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    Gjatë diskutimit, Kryetari Krasniqi theksoi rëndësinë e një qasjeje proaktive të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe përforcimin e partneritetit me BE-në dhe aleatët ndërkombëtarë. Ai shprehu bindjen se stabiliteti politik dhe një qeverisje e qëndrueshme janë kyçe për të avancuar proceset integruese dhe për të forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Përfaqësuesit e instituteve pjesëmarrëse ndanë pikëpamjet e tyre mbi mënyrat se si Kosova mund të përfitojë nga dinamika e re në BE dhe SHBA, duke theksuar rëndësinë e reformave të qëndrueshme dhe të një dialogu të fuqizuar ndërkombëtar.

    Vizita e këtyre instituteve është pjesë e një studimi më të gjerë, i cili do të rezultojë me një publikim analitik mbi rrugën e Kosovës drejt stabilitetit dhe integrimit evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!