Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në këto tri vite të Qeverisë Kurti mjaftuan që premtimet Kryeministri t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Këto tri vite, kryetari Krasniqi i ka cilësuar si keqqeverisje me afera korruptive e paaftësi, e që sipas tij është përkeqësuar edhe jeta e qytetarëve, periudhë kjo që sipas tij është rrezikuar edhe e ardhmja euro-atlantike e shtetit.
“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.
Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë.
Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka shkruar në një postim në Facebook, se këto tre vite Kosova ka qenë kundër secilit aleat, duke përmendur këto ShBA-në.
Sipas tij, Qeveria Kurti i ka sjellur stagnim në ekonomi vendit, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim.
“Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare.
Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën.
Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi – mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë.
Përbuzja – është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./Reporteri.net/