×
  • Lajme
  • Lajme

    Krejt çka pritet të ndodhë në takimin e shtatë mes dy qeverive shqiptare

    Reporteri
    24 Nëntor 2021 | 16:56

    Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë këtë të premte mbledhjen e radhës të përbashkët.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    “Po”, tha shkurt ai për Reporteri.net.

    Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën ka miratuar disa nga marrëveshjet të cilat pritet të nënshkruhen të premten në mbledhjen e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi ka deklaruar pas mbledhjes se cilat marrëveshje janë miratuar.

    “Sot miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë ditën e premte në mbledhjen e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Marrëveshje që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Është një lajm shumë i mirë për shtetasit e Kosovës që tashmë do të marrim thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit edhe leja e punës dhe është lajm i mirë edhe për shqiptarët që banojnë apo punojnë në Kosovë të cilët do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara se ç’janë sot. Vendimi i sotëm është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda atyre sektorëve që poërfshin Ministria e Brendshme”, deklaroi Çuçi.

    Ndërsa, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës do të nënshkruhet edhe marrëveshja për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore.

    Përmes kësaj marrëveshjeje, qytetarët e të dyja vendeve përfitojnë nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare.

    “Marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve, të cilëve konkretisht do t’i njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve në të dyja vendet. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrëlindje, nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet. Kjo është një marrëveshje e cila më parë nga qeveria shqiptare është lidhur me shumë vende të tjera. Aktualisht janë 3100 shqiptarë që punojnë ose jetojnë ne vende të tjera dhe përfitojnë nga mbrojtja sociale që sigurohet nga kjo marrëveshje”, deklaroi Ibrahimaj.

    Mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës do të mbahet ditën e premte, më 26 Nëntor, në qytetin e Elbasanit.

    Rreth 15 marrëveshje pritet të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të Qeverive së Kosovës dhe Shqipërisë të premten në Elbasan.

    Në mbledhjen e shtatë me radhë, fokusi i kabineteve qeveritare do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

    Që prej vitit 2014, qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë zhvillojnë mbledhje për të vijuar bashkëpunimin dhe për të nënshkruar marrëveshje në fusha të ndryshme.

    Kjo do të jetë mbledhja e shtatë e të dyja qeverive. E fundit u organizua në Tiranë në fillim të tetorit 2020, kur kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!