Asnjë nga krerët e shtetit, të dielën, nuk iu bashkuan Ipeshkvisë së Kosovës në kremten e Festës së Pashkëve. Kjo i ka indinjuar drejtuesit e Kishës Katolike në Kosovë që thonë se ka mungesë bashkëpunimi mes institucioneve të shtetit dhe Ipeshkvisë. Ankohen se “ka filluar të krijohet përshtypje, që institucionet e Kosovës nuk kanë nevojë për Kishën Katolike”. Në kremten e Pashkëve të ftuar nga Ipeshkvi Dodë Gjergji këtë herë munguan edhe përfaqësuesit e BIK’ut.
Ipeshkvia e Kosovës lidhur me kremtimin e Festës së Pashkëve, kanë thënë se për këtë festë ka më pak mysafirë se sa për festat e tjera dhe se herën e fundit është parë mosprania e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe bashkësisë islame, që sipas tyre ka mundur edhe të jetë rastësore.
Pashkët janë festa më e rëndësishme katolike, që përkujton ringjalljen e Jezu Krishtit, si thelbi kryesorë i fesë krishtere, shkruan gazeta online Reporteri.net. Tradicionalisht, për Pashkë dhe Krishtlindje, Ipeshkvi i Kosovës fton një ceremoni kremte në hapësirat e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.
“Për Pashkë, zakonisht ka më pak mysafirë, për shumë arsyeje objektive, por kësaj radhe është parë më dukshëm mosprania e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe bashkësisë islame. Besojmë që mungesa e sinkronizuar ka qenë rastësore dhe jo e koordinuar”, thotë Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës.
Sipas tij, në pritjen solemne nuk kanë munguar deputetët të parlamentit dhe përfaqësues të presidencës – por jo shefja e shtetit. Ai tregon edhe se që nga ardhja e qeverisë aktuale në pushtet, asnjëherë nuk e kanë parë të arsyeshme bashkëpunimin me Ipeshkvinë.
“Në pritjen tonë nuk mungojnë asnjëherë deputetë të parlamentit, e as përfaqësues të presidencës. Megjithatë, prijësit e tanishëm, që kur kanë ardhur në krye të këtyre dy institucioneve, asnjëherë nuk e kanë parë të arsyeshme të bashkë ndajnë me ne, jo vetëm urimet dhe gëzimin festiv, por as preokupimin për përgjegjësitë që kanë për besimtarët dhe Kishën Katolike në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e Ipeshkvisë së Kosovës dhënë për gazetën online Reporteri.net.
Sipas tyre, ka filluar të krijohet përshtypje, që institucionet e Kosovës nuk kanë nevojë për Kishën katolike.
“Si duket, ka filluar të krijohet përshtypje, që institucionet e Kosovës nuk kanë nevojë për Kishën katolike”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ipeshkvisë së Kosovës për Reporteri.net.
Të pyetur se a kanë pranuar urime nga Qeveria e Kosovës për Festën e Pashkëve, ata kanë thënë se nuk ka munguar kujdesi për të bashkëndarë gëzimin e festave, por që sipas tyre, kryeministri mungesën e tij e ka arsyetuar se gjendet në një udhëtim jashtë vendit.
“Sa i përket ekzekutivit nuk mund të themi që ka munguar kujdesi për të bashkëndarë me ne gëzimin e festave dhe përpjekja për të gjetur zgjidhje të çështjeve të pazgjidhura. Kësaj radhe kryeministri është arsyetuar për mungesën e tij, për shkak të udhëtimit jashtë vendit”, thotë Koliqi.
Sipas Ipeshkvisë së Kosovës, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, ndër përgjegjësitë e shumta që kanë, duhet edhe të jenë të pranishëm në vend për të festuar me qytetarët e tyre festat fetare, varësisht fuqisë elektorale që kanë.
“Mungesa e krerëve institucional mund të kuptohet që besimtarët e një bashkësie fetare dhe institucioni që i përfaqëson ata, nuk janë pjesë e përgjegjësive të tyre ose ata nuk janë qytetarë të denjë për vëmendjen e tyre. Shpresojmë se ata do të kthehen për festën e Bajramit”, deklaron Don Fatmir Koliqi.
Ata kanë shprehur shqetësim dhe mospajtim në lidhje e Radio Televizionin e Kosovës që sipas Ipeshkvisë e ka ndërprerë edhe këtë vit transmetimin e meshës solemne të Pashkëve, gjë që u ka pamundësuar besimtarëve të moshuar, të sëmurëve dhe atyre në Diasporë që të përcjellin deri në fundin meshën e Pashkëve.
“Me keqardhje konstatojmë se nuk është hera e parë, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe viteve të mëparshme. Kjo për ne bën një shkelje të të drejtave ndaj komunitetit tonë dhe shpreh mungesë respekti ndaj kremtimit të festës të Pashkëve Katolike”, kanë thënë në fund zëdhënësi i Ipeshkvisë së Kosovës. /Reporteri.net/.