×
  • Lajme
  • Lajme

    Kreu i Akademisë së Shkencave: Marrëveshja e Washingtonit s’mund të quhet historike

    Reporteri
    01 Tetor 2020 | 21:45

    Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, ka thënë se nuk e sheh si ‘historike’ marrëveshjen e Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë.


    “Nuk mendoj që është ndonjë marrëveshje historike; pasi të bësh historinë është një punë pak më e ngatërruar. Është më shumë marrëveshje politike dhe e cila i ka shërbyer dhe i shërben momentit politik, edhe të Amerikës, por edhe Serbisë, ndërsa më pak Kosovës”.

    Kraja në Rubikon në Klan Kosova, ka theksuar që kjo marrëveshje, më shumë i shërben Amerikës dhe Serbisë, secilës për shkak të interesave të tyre.

    “I ka shërbyer Amerikës, sepse Amerika po shihet që e përdor. Presidenti aktual, Trump e përdorë për fushatën e tij. Edhe Serbisë, pasi iu kanë vënë disa detyra, që duhet t’i kryejë dhe të cilat marrëveshja e Uashington i ndihmon që t’i realizojë; veçmas rreth integrimeve europiane dhe disa proceseve që duhet të zhvillohen në raport me Kosovën”.

    Sipas Krajës, Kosovës i nevojitet më pak kjo marrëveshje, pasi ka ’emergjenca tjera më të mëdha’.

    “Kosovës i shërben më pak, pasi nuk ka ndonjë emergjencë në drejtim të punëve të ngutshme me Serbinë. Mirë do të ishte të bëhej, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, por ajo nuk është afër dhe nuk ka gjasa të bëhet”.

    Kraja theksoi se sipas tij, nuk do t’i kishim prishur raportet me SHBA-të, edhe nëse do të ishte insistuar në pikën për njohje reciproke.

    “Ne që jemi në Kosovë e dimë që nuk do të bëhet. E dimë poashtu, se Serbia nuk e pranon Kosovën dhe nuk e njeh. Të gjitha marrëveshjet (dialogu) duket që shkojnë në drejtimin që Serbia, sa më shumë ta zgjasë mosnjohjen e Kosovës”.

    “Kjo përshtypje krijohet, pasi marrëveshja e Uashingtonit e ka deficitin më të madh e pikën 10 që i është hequr – njohja reciproke”.

    “Në raport me Serbinë, jemi në një situatë kur në njëfarë forme po sillemi sikur po i lutemi Serbisë për të na krijuar hapësirë për avancimin e proceseve. Nuk mendoj që ne kemi emergjenca të tilla. Se kemi emergjente marrëveshjen me Serbinë- mendoj që kemi emergjenca tjera më të mëdha”.

    “Klasa politike e Kosovës ka ndjeshmëri në raport me trysninë ndërkombëtare. Një pjesë e raporteve tona me Serbinë, lidhen drejtpërdrejt me interesat e klasës politike në Kosovë. Realizimi i atyre interesave, iu shkon në favor dhe iu ndihmon në mbajtjen e pushtetit në Kosovë”, u shpreh Kraja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!