Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Drenasit me rastin e dekorimit të tre ish-presidentëve të Shqipërisë.
Në këtë ceremoni, me titullin “Qytetar Nderi” u dekoruan ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“14 Dhjetor – kësaj date historike, në të cilën shënojmë 4 vjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe përkujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarë, po i trefishohet rëndësia me vendimin e Komunës së Drenasit për të çmuar e respektuar veprimtarinë e tre ish-Presidentëve të shtetit tonë amë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
“Ata udhëhoqën Shqipërinë dhe e pasuan njëri-tjetrin në këtë detyrë përgjatë tri periudhave kyçe për Kosovën – gjatë luftës, pas çlirimit dhe në kohën e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë, duke qenë përherë promotorë të kërkesave tona”, shkroi tutje ai. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë:
Shumë i nderuar të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Drenasit, me rastin e dekorimit të tre ish-Presidentëve të Shqipërisë – Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi me titullin “Qytetar Nderi”, nga kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci.
14 Dhjetor – kësaj date historike, në të cilën shënojmë 4 vjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe përkujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarë, po i trefishohet rëndësia me vendimin e Komunës së Drenasit për të çmuar e respektuar veprimtarinë e tre ish-Presidentëve të shtetit tonë amë.
Ata udhëhoqën Shqipërinë dhe e pasuan njëri-tjetrin në këtë detyrë përgjatë tri periudhave kyçe për Kosovën – gjatë luftës, pas çlirimit dhe në kohën e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë, duke qenë përherë promotorë të kërkesave tona.
Urimet më të mira për ish-Presidentët Meidani, Moisiu e Topi. Sinqerisht mirënjohës për kontributin e tyre për Kosovën.
Një komb, një qëndrim!