×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë e zezë

    Krimi brenda familjes që trondti Prishtinën, Prokuroria: Motivet ende të panjohura, po e hetojmë si “vrasje të rëndë”

    Reporteri
    28 Tetor 2024 | 11:01

    Një person ka vdekur mbrëmë si pasojë e therjes me mjet të mprehtë në rrugën “Tirana” në Prishtinë, raporton gazeta online Reporteri.net. Dorasi dhe viktima janë vëllezër mes vete.

    Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar një person i dyshuar për therjen, me ç’rast, thuhet se motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura, por që të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve.

    Njëherit, thuhet se rasti penal është cilësuar “vrasje e rëndë” si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    “Ndalohen një person i dyshuar në rastin e therjes me thikë në rrugën “Tirana” në Prishtinë Prishtinë, 28 Tetor 2024. Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia. Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person. Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori”, thuhet në njoftim.

    Teksa në përfundim, thuhet se brenda afatit ligjor, Prokurori i shtetit do të paraqesë pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin në këtë rast.

    Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjes që kanë pasur dy vëllezër mes vete, ku tashmë njëri ka mbetur i vdekur.

    “Sipas informacioneve fillestare që kemi, bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy personave, ku dyshohet se njëri ka goditur personin tjetër me një mjet të mprehtë. Ekipi shëndetësor ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete”, thuhej në njoftimin e Policisë.

    Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka bërë të ditur se i dyshuari është me të meta psikike.

    “Vëllai e ka therë me thikë vëllain. I dyshuari është me të meta psikike”, ka thënë Gashi.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!