×
  • Lajme
  • Lajme

    Krimi makabër në Deçan: Një person i maskuar vret dy nxënës dhe shoferin e autobusit që po i kthente nga shkolla

    Reporteri
    26 Nëntor 2021 | 23:22

    Një krim makabër sonte mbi autobusin që transportonte nxënës ka ndodhur sonte, duke lënë tre persona të vdekur dhe një të plagosur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

    Shoferi i autobusit dhe dy nxënës, një djalë dhe një vajzë të dy 17 vjeçarë mbetën të vdekur nga ky sulm që tronditi gjithë vendin, e që dyshohet se u krye me kallashnikov nga një person i maskuar.

    Policia e Kosovës dhe Prokuroria e kanë konfirmuar vrasjen e tyre për Gazetën Online Reporteri.net.

    Por organet e rendit ende nuk kanë aritur që të identifikojnë sulmuesin.

    Ata kanë thënë se hetimet po zhvillohet në disa pista.

    Në vendin e krimit ka dalë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Ai për ngjarjen në Gllogjan ka thënë para mediave se janë disa pista të ndryshme të hetimit.

    Isufaj tha se për momentin s’ka ndonjë motiv të caktuar që dyshohet se ka mundur të çoj deri në ngjarjen ku mbetën të vrarë tre persona, por se janë duke punuar në zbardhjen e autorëve të mundshëm të krimit.

    “Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin s’kemi motiv të caktuar dhe s’kemi informata që të ndajmë me ju”.

    Edhe zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit sonte, ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.

    Numri dy i Policisë Rajonale të Pejës, përjashtoi mundësinë e ndonjë akti terrorist. Ndërsa tha se kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm.

    “Nuk mendohet e as bëhet fjalë për ndonjë akt terrorist. Nuk ka aso lajme që mund të qarkullojnë. Bëhet fjalë për ngjarjen tronditëse, vrasje të trefishtë dhe një të plagosur në gjendje stabile në spital. Kemi angazhuar të gjitha njësitet elite, njësiti me qen, specialët dhe shumë shpejt bashkohet edhe Prishtina, që nga Drejtori i Përgjithshëm. Kaq mund të them”, tha Elshani.

    Një dëshmitar që ka qenë në autobus në momentin kur ka ndodhur sulmi ka rrëfyer se si ka ndodhur sulmi.

    “Jemi kon tu ec me autobus. Edhe na ka dal një person i maskuar me kallash në dorë edhe ka filluar me gjuajt drejtë neve. Gjithçka ka ndodh shumë shpejt”, ka thënë ai i cili ka qenë i ulu ne ulëset e para të autobusit.

    Për nxënësit që u vranë sonte kanë folur edhe nga shkolla ku ata ndiqnin mësimet.

    Koordinatori i shkollës “Kadri Kusari”, ka treguar se 17 vjeçari ishte nxënës shembullor.

    Me një postim që ka prekur të gjithë ka reaguar edhe kujdestarja e klasës së maturantes 17 vjeçare që mbeti e vdekur nga ky sulm.

    Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personit që kryeji krimin e rëndë.

    Për ngjarjen e rëndë kanë reaguar të gjithë krerët e shtetit dhe drejtuesit e partive politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!