×
  • Lajme
  • Lajme / Ndalesa e dinarit

    Kritikat e ashpra të O’Brien, Qeveria Kurti insiston se nuk ka rrezik për krisje të raporteve me ShBA-në

    Reporteri
    14 Shkurt 2024 | 17:20

    Ditën e djeshme, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien lëshoi një deklaratë të fortë duke thënë se nëse Qeveria Kurti nuk i trajton Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner, atëherë një gjë e tillë ngrenë pikëpyetje nëse edhe këta të fundit mund ta konsiderojnë qeverinë e Kosovës si partnere, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    O’Brien e cilësoi si “paaftësi qeverisjeje” vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit, rregullore kjo e BQK-së që hyri në fuqi me datë 1 shkurt.

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën theksoi se një vendim i tillë ishte i nxituar dhe paparalajmërim, e që siç tha ai nuk është bërë përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur zgjidhje për problemet që mund të lindnin.

    “Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”

    “Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha O’Brien për Zërin e Amerikës, derisa tregoi për një bisedë që kishte pasur me Kryeministrin Kurti pak kohë para se vendimi të hynte në fuqi.

    O’Brien: Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin

    Por, lidhur me deklratën e O’Brien, sot kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të mira.

    Kurti potencoi se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm se ShBA-ja, por shtoi se kushtetuetshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i kësaj qeverie, dhe se kjo e fundit nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura, në këtë rast BQK-së.

    “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike, Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja dhe në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese. Pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti sot.

    Kurti pas deklaratës së ashpër të O’Brien: Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë duke u rrezikuar

    E se bashkëpunimi mes Kosovës dhe ShBA-së po shkon ashtu siç duhet, e tha edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Ai tha se të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri dhe që e mbështesin deri në fund qëllimin e këtij vendimi, e se

    “Duhet theksuar që vendimi është marrë nga BQK-ja në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Ne patjetër që konsultohemi, koordinohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që synon të arrij rregullorja e miratuar e BQK-së. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Këto prishjet e raporteve janë propagandë të elementeve kryesisht nga Beogradi për një çështje që është tërësisht teknike”, tha Murati sot në konferencë para gazetarëve.

    Mosshtyrja e rregullores së BQK-së ka bërë që të reagojnë edhe nga Bashkimi Evropian, të cilët kanë thënë se Kosova ka bërë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

    “Është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim, përkeqësimin e situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, javën e kaluar.

    Theksojmë, se rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

    Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!