×
  • Lajme
  • Lajme / Një ditë para takimit

    Kriza institucionale në Kosovë, Osmani partive: Liderët politikë ta kenë primar interesin e vendit, imazhi i shtetit po dëmtohet

    Reporteri
    14 Maj 2025 | 19:16

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,  ka folur për takimin që do të zhvillojë nesër (e enjte) me liderët e partive parlamentare lidhur me situatën e krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të ri.

    Osmani vlerësoi se vonesat në këtë proces po shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta për vendin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    “Mungesa e parlamentit nënkupton mungesë ratifikimi të marrëveshjeve ndërkombëtare, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Po ashtu, nuk mund të miratohen ligje në mungesë të një kuvendi funksional,” tha Osmani.

    Sipas saj, dëmi i dytë është ai i imazhit: “Sa më shumë që zgjat kjo situatë, aq më shumë dëmtohet imazhi i institucioneve, besueshmëria e qytetarëve dhe reputacioni ynë ndërkombëtar.”

    E para e vendit tha se ka ftuar liderët e partive politike në një takim për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta që i shërbejnë vendit.

    “I falënderoj liderët që janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh që mund të vazhdojnë në formate të ndryshme, qoftë kolektive apo individuale,” u shpreh Osmani.

    Ajo theksoi se moskonstituimi i Kuvendit përbën rrezik për funksionimin kushtetues të institucioneve.

    “Shpresoj që të gjithë liderët të angazhohen duke vendosur në plan të parë interesin e vendit. Kur ka vullnet, gjithmonë arrihen rezultate pozitive. Kosova ka nevojë sa më parë për një Kuvend funksional,” përfundoi presidentja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!