×
  • Lajme
  • Lajme / Konstituimi

    Kriza në Kuvend, Presidentja e gatshme për konsultime me partitë kurdo që ata e shohin të nevojshme

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 18:53

    Pas gjashtë përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

    Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.

    “Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme.”, tha Kupina.

    Pengesat për konstituimin e Kuvendit lidhen me mungesën e konsensusit rreth zgjedhjes së kryetares.

    Kandidatja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme as në përpjekjen e katërt, me partitë tjera që e refuzojnë kandidaturën e saj për mungesë konsensusi.

    Në këtë situatë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje. Sipas KDI-së, presidentja ka detyrimin kushtetues për të garantuar funksionimin e institucioneve, veçanërisht kur Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues është i bllokuar.

    Kuvendi do të mblidhet sërish të dielën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!