×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    “KRU Gjakova” e largon përkohësisht nga puna Hasan Krasniqin, u arrestua javën e kaluar për dallavere me një tender

    Reporteri
    27 Mars 2025 | 11:05

    Hasan Krasniqi, kryeshef i “KRU Gjakova” është larguar përkohësisht nga puna me një vendim të marrë të shtunën më 22 mars, pak ditë pasi u arrestua për dallavere me një tender të Ndërmarrjes.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve është vendosur që Hasan Krasniqi të largohet përkohësisht nga puna për shkak të masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Bordi Drejtorëve i KRU” Gjakova”‘Sh.A.-Gjakovë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me date 22.03.2025, shgyrtoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me gështjen e Kryeshefit Ekzekutiv z.Hasan Krasniqi. Në bazë të këtij Aktvendimi dhe konform nenit 73, paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit të Punës të Republikës sẽ Kosovës, u vendos largimi i përkohëshëm nga puna i z. Hasan Krasnigi, për shkak të caktimit të masës së paraburgimit nga Organet kompetente tê drejtësisë të Republikën së Kosovës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të “KRU Gjakova”.

    Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Të martën e 18 marsit, u krye bastisje në shtëpinë e kryeshefit të “KRU Gjakova” Hasan Krasniqi, i cili edhe u arrestua po atë ditë.

    Prokuroria Speciale njoftoi se atij i ishin sekuestruar një laptop, telefon, dy kontrata që ndërlidhen me rastin, si dhe 22 mijë euro.

    Krasniqi ishte ndaluar për 48 orë, për t’iu caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Kjo ishte konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.

     

    Në fillim të muajit mars në disa audio-incizime që u publikum, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!