×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë

    Reporteri
    18 Prill 2021 | 19:14

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës.


    Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut.

    “Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha Konjucfa.

    Tutje, Kryekuvendari Konjufca, së bashku me Presidenten Osmani, vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

    “Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Kryetari Konjufca.

    Më pas, Kryekuvendari Konjufca takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri.

    “Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Kryetari Konjufca.

    Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit.

    “Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha Kryetari Konjufca para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq.

    Tutje, Kryekuvendari Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe.

    Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!